Me kushtetutë në dorë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta doli në një konferencë për mediat, për të përforcuar qëndrimin se nuk e ka shkelur atë.

Ai tha se vendimin për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve e ka bërë me përgjegjshmëri të plotë, për të eliminuar një konflikt civil.  Sipas tij, palët kanë bërë një sjellje histerike, duke e shpallur 30 qershorin si ditën për një betejë jeta e vdekje.

Meta i bëri thirrje palëve që të reflektojnë dhe ta shfrytëzojnë kohën e dhënë prej tij për të gjetur një zgjidhje, duke përfshirë edhe dakordësimin për një datë të re të zgjidhjeve.

Thirrje palëve politike të gjejnë zgjidhje me dialog

Presidenti i bën thirrje palëve që ta lexojnë bashkërisht dhe me seriozitet kushtetutën e Shqipërisë. Të thellohen dhe të shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore që u kam dhënë për gjetjen e një zgjidhje urgjente për krizën përfshirë dakordësimin e një date të re për zgjedhjet vendore. Presidenti garanton popullin se është në detyrë dhe i gatshëm të marrë vendime të rëndësishme që do të diktojë situata dhe interesi më i mirë i vendit. Presidenti fton palët të kuptojnë domosdoshmërinë e zgjidhjes së shpejt dhe përmes dialogut të kësaj krizë, si akti i vetëm që do të favorizonte çeljen e negociatave me BE.

Zgjedhjet në një datë të mëvonshme

Presidenti i siguron qytetarët se zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen në një datë të më vonshme dhe gjithmonë brenda një afati të arsyeshëm në respekt me frymën e kushtetutës. Ato duhet të jenë të lira, të ndershme, demokratike dhe konkurruese.

Vendimi, për të shmangur një konflikt civil

Ndaj me bindje të plotë dhe të palëkundur dhe me përgjegjësinë si kryetar i Këshillit të Sigurisë mora vendimin  e duhur për të shmangur një konflikt civil dhe për të shpëtuar demokracinë dhe të ardhmen e vendit. Republika nuk është monopartitizëm, por zgjedhjet e lira dhe të ndershme me mundësi të barabarta për të gjithë. Republika nuk mund të jetë as kapje totale e institucioneve nga ana e mazhorancës dhe as delegjitimim i tyre nga ana e opozitës.

30 qershorin e kishin shpallur si betejë jeta a vdekje

Vendimmarrja e Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor u bë e domosdoshme në kushtet e përshkallëzimit të ndërsjelltë dhe qëndrimeve dhe aksioneve histerike të dy palëve politike, për rritjen e tensionit në vend dhe rrezikut për të kulmuar përplasje mes tyre në 30 qershor. Të dy palët e kishin shpallur caktuar nga presidenti si datë të zgjedhjeve vendore, si ditën kur do të përballeshin në një betejë force dhe jetë a vdekje mes tyre.

Precedenti i parë për shtyrjen e zgjedhjeve me kontributin e Ramës

Këto 2-3 ditë kemi dëgjuar se vendimmarrja e presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve quhet kushtetuese vetëm kur bëhen me lejen e dy partive politike.  Pra presidenti duhet të marrë leje nga dy partitë politike dhe duhet që vetëm të noterizojë vullnetin e tyre për të qenë në rregull me kushtetutën. Precedenti i parë për të shtyrë zgjedhjet e përgjithshme vendore nga presidenti i republikës është krijuar falë kontributit ekskluziv dhe të padiskutueshëm të kryetarit të PS, atëherë kryetari i bashkisë së Tiranës zoti Rama dhjetor 2006-janar 2007.

Meta tregon sqaron Kushtetutën

Që në momentin e shpalljes së vendimit kam vënë re për fat të keq edhe disa reagime emotive, akuza të ndryshme apo reagime konstitucionaliste politike se Presidenti ka shkelur kushtetutën, madje ka cënuar edhe republikën, duke krijuar një gjendje amullie dhe konkluzioni mbi këtë çështje dhe kushtetutën.

Duke ditur fort mirë se në Tiranë qarkullojnë edhe disa modele dhe botime të tekstit të Kushtetutës, disa të përkthyera edhe gabim.

Kushtetuta e Republikës, që nga neni 1 deri në fund nuk përcakton afatin me ditë apo me muaj se kur zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor. Kushtetuta nuk thotë se zgjedhjet zhvillohen në datën 1 apo 30 të këtij po atij muaji. Këto detaje formale i ka kodi zgjedhor, të cilin siç e dini dhe ju, edhe partitë politike vetë e dinë shumë mirë si janë sjellë dhe sa shumë e kanë respektuar. Në disa raste që ato e dinë fare mirë ju akoma edhe më mirë, kanë ndryshuar jo kodin, por edhe kushtetutën brenda një nate.

Si shpjegohet që presidentët më parë kanë marrë vendime për të shfuqizuar dekretet e tyre të mëparshme dhe që kanë shtyrë datat e zgjedhjeve vendore dhe atyre të përgjithshme nuk janë akuzuar për shkelje të kushtetutës?!

Paraardhësit e mi të nderuar në këtë detyrë vërtet nuk e kanë shkelur kushtetutën, por në respekt të parimeve të saj kanë bërë zgjedhjen më të mirë për vendin, referuar rrethanave që e kanë detyruar zgjidhjen e tyre.

Mazhoranca, nismë për shkarkim

Partia Socialiste ka nisur  mbledhjen e firmave për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit.  Konferenca e kryetarëve e mbledhur paraditen e sotme vendosi që të enjten të ketë 5 orë mocion me debat për dekretin e Presidentit që anuloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Vendimi është marrë në Konferencën e Kryetarëve me dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës së re parlamentare. Në fund shumica do të kërkojë shkarkimin e Presidentit Meta.

Në këto kushte presidenca informon  se kreu i shtetit do të dalë në tjetër konferencë për median në orën 16:00. Pikërisht një ditë pasi firmosi zyrtarisht dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, 30 qershor. Në këtë konferencë priten të merren shumë përgjigje për shumë pyetje që lindin në këtë situatë të tensionuar politike dhe institucionale e vendit.


/Ora News.tv/