Stoku i kolateraleve të bllokuara nga kreditë e këqija është kthyer në një problem shqetësues prej bankave të nivelit të dytë. Në kuadër të ndryshimit të rregullores nga BSH, Sprio Brumbulli ka nënvizuar se do të shihen të gjitha mundësitë për të rikthyer fitimet nga pronat e sekuestruara.

Brumbulli: Bankat kanë bërë pastrimin e bilancit të tyre, ekziston vetëm problemi i shitjes së të gjitha pasurive që janë jashtë bilancit të bankave. Pra bankat po ndjekin të gjitha ato kontrata që kanë kolateral se çfarë mund të bëjnë që ti kthejnë ato nga mjete fizike në para të gatashme.

Banka e Shqipërisë ka shtuar kriteret për trajtimin e kredive të këqia. Rregullorja është quajtur Tirana Approach dhe synon që të lehtësojë procedurat për kthimin e kredive nga klientët. Sipas shoqatës së bankave aktualisht niveli i kredive të këqia është rreth 13.5% dhe mbetet shqetësuaes në një moment që kreditimi nuk ka rritje.

Brumbulli: Bankat do bëjnë të gjitha përpjekjet për të gjetur dëshirën më të mirë edhe të klientit edhe të bankave dhe mundësitë praktike sesi mund që kjo kredi që prek disa banka të kthehet në kredi të mirë. Atje ku ska mundësi dhe rezultat jemi të detyruar të ndjekim të gjithë legjislacionin në fuqi.

Kjo deklaratë u bë në një aktivitet për rritjen e edukimit financiar për të cilën u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi midis institucioneve të linjës.Në bazë të studimeve përdorimi i bankave nga popullsia në moshë në vendin tonë është rreth 40 %, dhe rezulton më e ulta në rajon

/Ora News.tv/