Hyrja në fuqi e dekretit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore, nuk është marrë parasysh nga anëtarët socialistë të KQZ, të cilët kanë vijuar përgatitjet për zgjedhjet e 30 qershorit.

Kryetari i KQZ-së Klement Zguri nuk është rikthyer të drejtojë mbledhjen, pas braktisjes së Komisionit, tre ditë më parë.

I pyetur nga RTV Ora në lidhje me dekretin e presidentit, nënkryetari i KQZ, Denar Biba nuk pranoi të përgjigjej.

Por mbledhja e të mërkurës, u zhvillua në masa të shtuara sigurie. 5 anëtarët e KQZ-së ashtu si në çdo proces tjetër zgjedhor do të jenë nën ruajtjen e forcave të gardës së republikës.

Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba konfirmoi për RTV Ora se kjo është një procedurë normale që ndodh në çdo periudhë zgjedhore dhe asnjë nga anëtarët nuk ka shqetësime për sigurinë fizike.

Njoftimi i plotë i KQZ-së

Bazuar në nenin 22, pika 2, e Kodit Zgjedhor, nenin 12 të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”,  Zv. Kryetari z. Denar Biba, Anetaret; z. Bledar Skenderi, znj. Edlira Jorgaqi dhe znj. Rezarta Bitri kane kerkuar thirrjen e mbledhjes,

Sot, me 12.06.2019, Ora 13:00, me rend dite:

1.    “Për miratimin e listës emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht anëtarë KQV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

2.    “Për dhënien e autorizimit për ndryshimin e vendndodhjeve të disa QV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

3.    ‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Institutit Demokratik Amerikan ( NDI), për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

4.    “Për një shtesë në Vendimin nr.669, të datës 28.05.2019 ‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të KSHH’, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.

5.    “Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Shoqatës për Gratë dhe Fëmijët, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të dates 30 qershor 2019”.



/Ora News.tv/