Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve rrëzoi me katër vota pro dhe një kundër kërkesën e PD dhe LSI për tu përfaqësuar me komisionerë në zgjedhjet vendore. Mazhoranca në KQZ argumentoi se opozita e bashkuar nuk është subjekt zgjedhor apo parti parlamentare ndaj dhe nuk mund të ketë anëtarë në KZAZ. Megjithatë opozita nuk ka hequr dorë nga kërkesa, duke iu drejtuar tashmë Kolegjit Zgjedhor.

PD dhe LSI kanë dorëzuar në KQZ listën me 350 emra të propozuar si komisionerë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Propozimi është debatuar për më shumë se një orë, çka tregoi dhe një herë ndarjen e votave të Komisionit.

Përfaqësuesi ligjor i selisë blu, Ivi Kaso, theksoi se dokumentacioni u paraqit brenda afateve ligjore ndaj kërkoi miratimin.

Ivi Kaso: Ju nënshtruan presionit jo ligjor dhe i mohuan opozitës së bashkuar të drejtën e saj të garantuar nga Kodi Zgjedhor për të paraqitur komisionerë në KZAZ. Është një e drejtë që opozitës i buron nga fryma e Kushtetutës, nga fryma e Kodit Zgjedhor, neni dhe gërma e Kodit Zgjedhor. Pika 5 e nenit 29 të Kushtetutës detajon në mënyrë të qartë që në momentin që një parti parlamentare, më e madhja në këtë rast e opozitës parlamentare, që ka të drejtën të çojë anëtarët në KZAZ i çon 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve. 

Atëherë KQZ është detyruar të pranojë këto kandidatura, sigurisht kur janë në përputhje me ligjin. Sollëm kandidaturat, ishin në përputhje me kriteret ligjore, janë kandidatura serioze, me eksperiencë të mëparshme zgjedhore dhe KQZ nuk ka pasur asnjë arsye ligjore për refuzimin e këtyre kandidaturave. 

Kuptohet përveçse urdhrit politik të drejtpërdrejtë. Sigurisht Edi Rama dhe maxhoranca janë të shqetësuara nga prania e anëtarë të propozuar nga opozita për KZAZ. Sepse nëse paligjshmëritë po ndjekin njëra-tjetrën në KQZ, në nivelin e dytë administrimit zgjedhor në KZAZ janë të paimagjinueshme, janë të shumta, të përhapura në çdo hallkë të procesit saqë e ka zënë tmerri mazhorancë, dhe Edi Ramën konkretisht nga zbulimi i këtyre paligjshmërive.

Ta trajtojnë këtë vendimmarrje vetëm në përputhje me parashikimet ligjore të cilat i japin opozitës së bashkuar të drejtë të pakushtëzuar.

Por për nënkryetarin e KQZ-së, Denar Biba,  PD dhe LSI nuk janë subjekt zgjedhor ndaj dhe nuk mund të përfaqësohen në KZAZ.

Denar Biba: Duhet të ketë të dy elementët, duhet të jetë edhe parti e opozitës parlamentare, duhet të jetë me patjetër edhe subjekt zgjedhor.

Kundër këtij argument ishte dhe kryetari i KQZ-së, Klement Zguri.

Klement Zguri: KQZ ka marrë vendim, po përmes një shkrese të Kuvendit të Shqipërisë, ka qenë Kuvendi që na ka përcaktuar se cilat janë partitë politike që kanë të drejtën për të marrë pjesë në KZAZ, duke përcaktuar opozitë dhe mazhorancë.

Megjithatë kërkesa e opozitës është rrëzuar me katër  vota kundër dhe një pro.

Por për Ivi Kason të drejtën e komisionerëve e ka PD dhe PS, madje sipas vendimit të vetë KQZ. 

Ndaj dhe deklaroi se refuzimi do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor.

Ivi Kaso:Opozita e bashkuar dhe PD do ndjekin të gjitha hapat ligjore për ta kundërshtuan këtë vendimmarrje të paligjshme. Do i drejtohemi menjëherë partnerëve tanë ndërkombëtarë që monitorojnë procesin dhe në veçanti misionit të OSBE/ODHIR që është prezent për të monitoruar procesin zgjedhor lidhur me këto shkelje flagrante të ligjit. 

Do denoncojmë të gjithë shkelësit e ligjit, duke filluar nga KQZ, e cila në këtë format është e paligjshme pasi Partia Socialiste ka katër anëtarët të propozuar në KQZ që është në kundërshtim me ligjin pasi i takojnë vetëm dy anëtarë të propozuar.

Dy kandidatet e BD - Dje KQZ nuk pranoi kërkesën e Salvator Kaçajt, kandidat për kryetar bashkie në Lezhë nga Bindja Demokratike, i cili kërkoi tërheqjen nga gara.

Dhe sot u mesua se KQZ do të referojë në prokurori dhe dokumentacionin e paraqitur nga Bindja Demokratike për kandidatin për kryetar bashkie në Kavajë, Bledar Sinella, i cili deklaroi se firma për regjistrim nuk është e tij.

PD dhe LSI depozituan të shtunën (18 maj) pranë KQZ emrat e anëtarëve për 90 komisionet zonale të administrimit zgjedhor, edhe pse ka vendosur të mos regjistrojë kandidatë për pushtetin vendor.

/Ora News.tv/