Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias do vizitojë sot Prishtinën dhe Beogradin, ndërsa më pas do të udhëtojë për në Ohër, ku do të takohet me homologun maqedonas, Nikolla Dimitrov.

Media greke kishte përfshirë në këtë tur të shefit të diplomacisë helene edhe një ndalesë në Tiranë, por përfundimisht kjo nuk do të realizohet. Dy ministrat e jashtëm, Bushati e Kotzias janë takuar për pak orë në Tiranë, ditët e fundit të marsit.

Ndërsa takimet në Kosovë dhe Serbi ishin programuar që më herët, bisedimet me ministrin e jashtëm maqedonas, janë vendosur javën e kaluar. Kjo u ka hapur rrugën pritshmërive për një progres të mundshëm në bisedimet që po zhvillohen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi çështjen e emrit.

Vetë Kotzias ka shprehur shpresën që takimi i tij me Nikolla Dimitrovin “të jetë një hap i madh përpara në rrugën drejt zgjidhjes”.

Në intervistë për revistën gjermane Der Spiegel, Kotzias deklaroi që me gjithë pikat e ndjeshme që ndajnë Athinën dhe Shkupin, të dy palët mund t’i zgjidhin me guxim mosmarrëveshjet, duke nënvizuar që pikërisht kjo po tentohet tani.

Nëse bisedimet e dy ministrave të jashtëm japin rezultatet e pritshme, atëherë ka shumë gjasë që dy kryeministrat, Tsipras e Zaev të takohen për të kurorëzuar arritjen e marrëveshjes.

/Ora News.tv/