Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka garantuar Beogradin se vendi i tij nuk do të ndryshojë qëndrimin për mos ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.

“Nuk kemi njohje diplomatike të Kosovës dhe as kemi për ta njohur”, ka deklaruar Kotzias, pas takimit me homologun e tij serb, Ivica Dacic.

Ministri i jashtëm grek e bëri këtë deklaratë, i pyetur nga gazetarët serbë mbi zyrën e përfaqësimit tregtar të Kosovës, që pritet të hapet në Athinë dhe nëse kjo do të ishte një konsullatë.

“Ekziston që nga vitet e qeverisjes prej PASOK-ut dhe Demokracisë së re një marrëveshje për t’u hapur një zyrë e përfaqësimit tregtar të Kosovës në Athinë”, tha ministri i jashtëm grek dhe vazhdoi:

“Kjo zyrë do të hapet në një moment, por nuk do të jetë përfaqësi diplomatike e Kosovës. Konsullatë do të thotë përfaqësim diplomatik dhe atribute autoriteti diplomatik. Një gjë e tillë nuk është dakordësuar dhe as parashikohet të bëhet”, ka thënë Kotzias.

“Nuk kemi njohje diplomatike të Kosovës dhe as kemi për ta njohur diplomatikisht”, përfundoi ministri i jashtëm grek.

Kotzias, u prit edhe nga presidenti vendas, Aleksandar Vucic.

Pas Beogradit Kotzias do të udhëtojë për në Ohër, ku do të takohet me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitriv.

Të enjten, ministri i jashtëm grek do të shkojë në Prishtinë, ku do të pritet nga presidenti Hashim Thaçi dhe do të zhvillojë bisedime me ministrin e jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

/Ora News.tv/