Regjisori, skenaristi dhe producenti shqiptar, Gjergj Xhuvani, u përcoll të martën në banesën e fundit. Familjarët vendosën që ceremonia mortore të ishte private, ndërsa kolegët thanë se arti humbi një ndër regjisorët më të mirë.

Ashtu siç ishte edhe në jetë, i heshtur, regjisori Gjergj Xhuvani u përcoll në banesën e fundit të tij pa zhurmë.

Familja njoftoi se ceremonia mortore do të ishte private, larg syrit të medias e deklaratave të rastit.

Në ceremoni ishte i pranishëm për ti dhënë lamtumirën e fundit edhe djali i tij, Kostandin Xhuvani, i cili mundi të sigurojë lejen nga  Drejtoria e Burgjeve për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

Në heshtje përcollën ngushëllimet edhe miqtë e tij të ngushtë, edhe pse kishin shumë për të thënë për një regjisor e njeri të rrallë si Xhuvani.

Besnik Bisha,  një ndër shokët e afërt, bashkë me dhimbjen tregon edhe disa kujtime me regjisorin.

"E kam takuar dy ditë para se të ikja. Më tregoi se do ikte në Itali të mbyllte filmin. Më tha se i kishte ngelur dicka për filmin., Shpresoj ta mbyll, më tha, e të qetësohem sepse ndihem i lodhur" tregon Bisha.

Arti ka humbur një ndër regjisorët më të mirë, thotë ai, por familjarët dhe miqtë kanë humbur më shumë.

"Unë humba një mik të mirë, një koleg" tregon me lot Bisha.

Gjergj Xhuvani, humbi betejën me sëmundjen e rëndë që e mundonte prej vitesh, një javë më parë në Romë, në moshën 56 vjeç.

Por pavarësisht gjendjes shëndetësore ai po punonte për të sjellë projektin e tij të fundit, filmin “Liqeni im”.

/Ora News.tv/