Kosovë-Serbi, Vuçiç konfirmon rifillimin e dialogut dypalësh më 23 mars

Kosovë-Serbi, Vuçiç konfirmon rifillimin e dialogut

Presidentët e Serbisë dhe Kosovës do të takohen më 23 mars në Bruksel për të rifilluar dialogun dypalësh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Kreu i shtetit serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar takimin mes palëve, ndërkohë që ka theksuar nevojën për rifillimin e bisedimeve dhe arritjen e një kompromisi, që Serbia të mund të përparojë në rrugën e saj europiane.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të takohet me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi në Bruksel javën e ardhshme, në përpjekje që palët të zgjidhin problemet mes tyre. “Do të rifillojmë dialogun, nuk kemi zgjidhje tjetër,” raportohet të ketë deklaruar Vuçiç për gazetarët në Beograd. Presidenti serb konfirmoi se 23 marsi do të jetë edhe data kur do të zhvillohet takimi mes tij dhe homologut Thaçi.

Edhe më herët, Vuçiç ka deklaruar gatishmërinë e Serbisë për të arritur një kompromis me Kosovën, për problemet e pazgjidhura mes palëve. Kreu i shtetit pranoi se kjo çështje është pengesa më e madhe në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Europian, ndaj Beogradi është i vendosur të arrijë një zgjidhje me kompromis, që nuk do të përçajë apo poshtërojë vendin.

Kujtojmë se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011, por u ndërpre së fundmi pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç në Mitrovicën e Veriut.

EMISIONET