Kosovë-Serbi në teatër, Doruntina Basha: Lufta e Kosovës nuk e çliroi gruan

Kosovë-Serbi në teatër, Doruntina Basha: Lufta e Kosovës nuk

Drama "Gishti" e autores kosovare Doruntina Basha vjen në Teatrin Eksperimental nën regjinë e regjisores serbe Bojana Lazic. Një histori për traumat shoqërore të pasluftës.

Arti po arrin të thyejë barrierat politike mes dy vendeve. I tillë është rasti i dramës shqipe "Gishti" i autores kosovare Doruntina Basha që vihet në skenë nga regjisorja serbe Bojana Lazic. Pas udhëtimit në Beograd, Shkup dhe Prishtinë, premiera shfaqet të shtunën në Teatrin Eksperimental në Tiranë.

Doruntina Basha: Ka qenë një përvojë unike, e cila më ka ofruar qasje të informohem më mirë se si këto familje jetojnë dhe sa specifike është ajo dhimbje, e cila shkaktohet nga humbja e një personi i cili thjesht konsiderohet i zhdukur.

Bojana Lazic: Me këtë ekip femëror unë mbyll dhe një kërkim timin mbi përvojën personale dhe kolektive të traumave të luftës. Kjo nuk është një temë ekskluzive për Ballkanin. Është një temë planetare sepse gjithmonë dikush humbet një njeri të dashur dhe e pret atë pafundësisht.

E ngacmuar nga historitë e familjarëve të prekur nga lufta, Doruntina Basha ulet dhe shkruan në vitin 2011 për vetëm dy personazhe femërorë.

Basha është autore e angazhuar dhe ajo konstaton se kohët e reja të pasluftës në Kosovë nuk e kanë ndryshuar gjendjen e gruas.

Doruntina Basha: Këto gra do të thotë e përjetojnë një lloj shtypje e dyfishtë. Shtypin që u bën lufta, tmerri që kanë përjetuar por dhe shtypja që u bën shoqëria që thjesht refuzon ta dëgjojë tregimin e tyre.

Për aktoret Rozi Kostani dhe Ina Morinaj ky bashkëpunim është shkëmbim përvojash të ndryshme aktoriale dhe regjisoriale.

Ina Morinaj: Me regjisoren ka qenë një punë fantastike, është e ndërtuar e gjithë shfaqja në bazë të improvizimit ku ne kemi patur liri totale të të dhënit gjithcka nga vetja. Ju ftoj të gjithëve që ta shihni për marrëdhënien e mrekullueshme të këtyre dy femrave në pjesë.

EMISIONET