Ka marrë refuzimin ftesa e presidentit Hashim Thaçi bërë opozitës për t’u përfshirë në fazën finale të dialogut me Serbinë, e cila do të nisë këtë të diele. Kreut të shtetit, madje, nuk i njihet as e drejta për ta përfaqësuar Kosovën në këtë proces, shkruan sot Koha Ditore.

Në një konferencë shtypi organizuar të mërkurën, presidenti ka thënë ta ketë mandatin e edhe obligimin kushtetues që ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, e edhe t’i prijë deri në fund dialogut me fqinjin verior. 

E ka deklaruar këtë, vetëm një ditë pasi ai dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kanë marrë ftesën nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, që më 24 qershor të marrin pjesë në takimin e parë të fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi, i cili do të finalizohet me një marrëveshje ligjërisht detyruese.

/Ora News.tv/