Kosovë, një serb dënohet për krime lufte

Kosovë, një serb dënohet për krime lufte

Një gjykatë në Mitrovicë, e dënoi të premten me 6 vjet e gjysmë heqje lire një serb të Kosovës, të akuzuar për krime lufte.

Trupi gjykues i drejtuar nga gjykatës të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, e shpalli fajtorë Zoran Vukotiçin për torturë ndaj të burgosurve në burgun e Smrekonicës, që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, gjatë viti 1999.

Ai u lirua ndërkaq nga akuzat për përfshirje në krimet e kryera nga forcat serbe në fshatin Studime të komunës së Vushtrrisë, rreth 25 kilometra larg Prishtinës, ku më 2 maj të vitit 1999 qenë vrarë 116 civilë që ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Këto krime thuhej në akuzë përfshinin "vrasjet brutale dhe të kundërligjshme, trajtimin çnjerëzor, shkaktimin e vuajtjeve të mëdha, aplikimin e masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimin e pasurisë, plaçkitjen dhe vjedhjen në shkallë të gjerë të pasurisë që ishte e pajustifikueshme".

Zoran Vukotiç, ishte i vetmi i akuzuar për përfshirje në ato ngjatje. Ai ishte arrestuar në mars të vitit 2016 në rrethinën e Nikshiqit në Mal të Zi, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare dhe në muajin nëntor të atij viti, u ishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

Mbi dhjetë mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë që mori fund me ndërhyrjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s.

Edhe më tej ndërkaq nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mije e 600 personave që llogariten të zhdukur.

EMISIONET