"Kosovarët të ardhur nga pylli", reagon BE: Serbia të ndalë retorikën fyese

"Kosovarët të ardhur nga pylli", reagon BE: Serbia të

Pas deklaratave fyese të kryeministres Serbe, Ana Bërnabiç, se elita politike e Kosovës përbëhet nga terroristë dhe persona me uniformë të ardhur nga pylli, ka reaguar edhe Bashkimi Europian.

Në përgjigjen për organizatën mediatike "Radio Europa e Lirë", zëdhënësja e përfaqësueses së lartë për politikat e jashtme, Maja Kocijançiç, ka apeluar palën serbe të ndalë retorikën dashakeqëse.

Koçijançiç: "Çdo retorikë fyese, konfrontuese dhe përçarëse është kundër frymës së bashkëpunimit dhe pajtimit që i duhet rajonit për të ecur përpara. Ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe se statukuoja nuk është mundësi."

Komenti përçmues i kryeministres Bërnabiç nxiti Kosovën një ditë më parë, Ministrinë e Jashtme në Prishtinë që ta shpallë atë person të padëshiruar dhe t'i pengojë hyrjen në vend.

Edhe presidenti Hashim Thaçi u shpreh i zhgënjyer nga qëndrimet raciste që ai i cilësoi patologjike të Serbisë kundrejt Kosovës.

Ndërkaq, personalitete të ndryshme të vendit kanë ndërmarrë një fushatë në rrjetet sociale për të shprehur krenarinë e të qenit shqiptar.

Ambasadorja e Prishtinës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, postoi foto të yjeve të muzikës dhe sportit, si Rita Ora, Dua Lipa, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri apo xhudistja Majlinda Kelmendi, duke shkruar se ata janë vetëm disa nga personat e suksesshëm shqiptarë që kryeministrja e Serbisë i etiketon si të pagdhendur.

Me të u solidarizuan edhe figura të tjera publike, ambasadorë, deputetë apo qytetarë të thjeshtë, të cilët theksuan krenarinë për prejardhjen e tyre.





EMISIONET