Eksportet drejt Kosovës kanë shënuar një rritje prej 61 për qind në muajin shkurt. Në këtë mënyrë bashkëkombësit i kanë dhënë një ndihmë të madhe prodhimeve shqiptare, pasi sasia e dërgesave drejt vendeve të tjera kanë rënë me 6 për qind ose e përkthyer në shifra me 3 miliard më pak.

Rënia e eksporteve të nisur në tetorin e vitit të vitit të shkuar ka vazhduar të thellohet edhe në dy muajt e parë të këtij viti.

Sipas raportit të INSTAT, produktet shqiptare drejt vendeve të tjera janë ulur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë ose 3 miliard lekë.  

Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4,7 pikë përqindje,“  si dhe  “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3,1 pikë përqindje.

Nëngrupi “minerale, lëndë djegëse, energji” kanë shënuar dhe rënien më të fortë me 18.5%, duke zbritur në 6.5 miliardë lekë.

Në këtë ka dhënë efekte ulja e eksporteve të energjisë elektrike për shkak të mungesës së reshjeve, çka përbën diferencën me vitin e kaluar ku eksportet  arritën kulmin për shkak të situatës së favorshme hidrike.

Vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë  Greqia, Italia dhe Gjermania.

Por duket se Kosova mbetet vendi që ka amortizuar rënien e tregtisë.

Pas tarifave ndaj Serbisë, Shqipëria vazhdon të furnizojë me mallra Prishtinën, ku në dy muaj eksportet drejt Kosovës janë rritur me 18.7%,  ndërsa vetëm  në shkurt rritja ka qenë 61.2%.

Peshën kryesore në rritjen e eksporteve me këtë vend  e ka pasur nëngrupi ushqime që kanë shkuar drejt dyfishimit, energji elektrike si dhe produkte kimike dhe plastike.

Nga ana tjetër si dymujor, importet janë rritur me 1,1 %, krahasuar me dymujorin e parë 2018.





/Ora News.tv/