Kosova ka rritur presionet ndaj Shqipërisë në lidhje me tarifat doganore. Në një deklaratë ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka deklaruar se prodhuesit kosovar kanë ankesa ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë për disa taksa të këtyre vendeve. Duke marrë shkas nga kjo do të propozojë masa shtesë për ato vende që nuk zbatojnë marrëveshjen CEFTA.

Pas vendosjes së taksës 100% ndaj mallrave serbe Kosova ka shtuar presionet edhe ndaj Shqipërisë. Ministri i tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar se do të propozojë  masa shtesë  ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë pasi  prodhuesit kosovarë, po përballen me barriera tarifore dhe jotarifore. Sipas zyrtarit Kosovar  ndaj këtyre shteteve do të zbatohen masa mbrojtëse nëse këto barriera nuk hiqen.

Endrit Shala, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë: Në dy takimet e fundit me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, kemi kërkuar që të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë që këto koncesione të implementuara nga Shqipëria mos të reflektojnë në të bërit biznes.

Sipas prodhuesve kosovar barrierat tarifore dhe jotarifore, paraqiten në rastin e  akcizës së birrës, procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare, të cilat po dëmtojnë konkurrueshmërinë e produkteve të Kosovës në Shqipëri.

/Ora News.tv/