Kosova dhe Maqedonia e Veriut po shkallëzojnë më tej përplasjet tregtare duke aplikuar masa reciproke. Prishtina zyrtare njofton se mjalti dhe patatet me origjinë maqedonase nuk do të lejohen të hyjnë në vend pa u zgjidhur situata me barrierat tarifore që autoritetet e Shkupit aplikojnë ndaj Kosovës.

Prishtina ka ngritur barriera tregtare ndaj Shkupit, duke ndalur eksportet e produkteve mjaltë natyral dhe patate me origjinë maqedonase në vend.

Ministri i Kosovës për Tregtinë dhe Industrinë, Endrit Shala, informoi të premten se vendimi është marrë pasi Maqedonia e Veriut në muajin qershor ndaloi importin e rasatëve të peshkut nga Kosova me arsyetimin se nuk përmbushnin kriteret vendore të cilësisë.

Shala tha se këtë shqetësim e kishte ngritur edhe me sekretariatin e CEFTA-s, që garanton marrëveshjen për tregti të lirë në rajon.

Shala: Tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje. Ndaj sot kam vendosur për masa reciproke për importet në Kosovë dhe të ndaloj hyrjen e disa produkteve derisa shteti maqedonas të reflektojë dhe të trajtojë barabar produktet tona.

Ministri paralajmëroi se ky trajtim i barabartë do të kërkohet edhe nga shtetet e tjera të rajonit, në të kundërt politika e reciprocitetit do të zbatohet pa dallim.

Më herët shoqatat e prodhuesve në Kosovë kanë pohuar se autoritetet shqiptare po i pengojnë bizneset nga Kosova që të konkurrojnë ndershmërisht.

Prezenca në tregun e Shqipërisë, sipas tyre, penalizohet për shkak të barrierave tarifore dhe jotarifore.

Statistikat zyrtare tregojnë se në muajin qershor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin dy importuesit kryesorë të produkteve kosovare me 17,2 dhe 10,7 për qind të totalit.

Maqedonia e Veriut, ndërkohë, ishte importuesja më e madhe me 7,3% të totalit, e ndjekur nga Shqipëria dhe Serbia me 6,5 dhe 0,9 për qind të totalit.

/Ora News.tv/