Dy Koretë do të zhvillojnë sërish bisedime të nivelit të lartë gjatë ditës së mërkurë. Rruga që do të ndiqet për çarmatosjen e gadishullit korean, do të jetë në qendër të takimit mes zyrtarëve veriorë e jugorë, të cilët do të nisin punën për të përmbushur një nga premtimet e dhëna në samitin historik ndër-korean të 27 prillit.

Koreja e Veriut dhe e Jugut kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë ditën e mërkurë, për të diskutuar hapat e nevojshëm për të arritur çarmatosjen e gadishullit korean.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria koreano-jugore e Bashkimit dhe vjen si një hap drejt realizimit të premtimeve të dhëna në samitin historik ndër-korean të 27 prillit, ku Veriu u zotua të hiqte dorë nga programi bërthamor.

Peniani zyrtar ka planifikuar çmontimin e pikë-testimit të bombave dhe raketave mes datave 23 dhe 25 maj, një muaj përpara samitit të rëndësishëm mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara në Singapor.

Peniani madje ka ftuar edhe një agjensi lajmesh dhe një rrjet televiziv nga Koreja e Jugut të ndjekin procesin e mbylljes së pikës së testimit.

Takimi i të mërkurës do të zhvillohet në Shtëpinë e Paqes në Panmunjom, ku dy udhëheqësit koreanë nënshkruan deklaratën e tyre të përbashkët muajin e kaluar.

/Ora News.tv/