Angjelin Preljocaj, koreografi francez me origjinë shqiptare do të jetë anëtari më i ri i Akademisë së Arteve të Bukura në Paris. Balerini dhe koreografi me famë botërore, ka vite që drejton trupën e tij të baletit “Preljocaj”. Me artin dhe talentin e tij, Preljocaj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenat franceze e ato të huaja.

Koreografi i mirënjohur francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, është bërë pjesë e Akademisë së Arteve të Bukura në Paris.

Seksioni i koreografisë në këtë Akademi, e krijuar në vitin 1816, ka 4 anëtarë dhe njëri ndër ta do jetë tanimë edhe Angjelini.

I lindur në Sucy –en-Brie, Francë, në vitin 1957 nga prindër shqiptarë, Angjelin Preljocaj është një balerin dhe koreograf i baletit bashkëkohor.

Ai ka vite që drejton trupen e tij të baletit “Preljocaj” me të cilin prezantohet në mbarë botën, madje edhe në Bolshoi të Moskës.

Me artin dhe talentin e tij, Preljocaj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenat franceze e ato të huaja.

Koreografi ka vënë në skenë veprat më të famshme të baletit si “Romeo e Xhulieta” në vitin 1990, “Pamje pas betejës” në vitin 1997, “Eksperiencat afër jetës” në vitin 2003 etj.

Ai është vlerësuar me shumë çmime mes tyre edhe Çmimin e Madh Kombëtar të Kërcimit, dhënë nga Ministria e Kulturës Franceze në vitin 1992.

Preljocaj, një artist i përmasave botërore, nuk e harroi asnjëherë origjinën e tij shqiptare.

Ai ka bashkëpunuar edhe me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë me veprat “La Stravaganza”, “Dasma” etj.

/Ora News.tv/