Pas Elbasanit, Durrësit, Fierit e Vlorës ndalesa e radhës për analizën e punës nga ana e kryeprokurores  Arta Marku ishte në Korçë. Edhe nga ky rreth, kreu i ri i akuzës u kërkoi vartësve hetime më të thelluara në luftën kundër drogës dhe korrupsionit. 

Nga  Korça  ku mori pjesë në analizën vjetore, kryeprokurorja e përkoshme  Arta Marku i ka drejtuar një tjetër apel vartësve të saj.

Ajo ka kërkuar hetime me të thelluara sidomos në trafikun e lëndëve narkotike, për të mos u kënaqur vetëm me arrestimin e shitësve të drogës, por të vihen para përgjegjësive penale grosistët, grupet që financojnë dhe organizojnë kultivimin e lëndëve narkotike.

Edhe një herë  kreu i akuzës është ndalur te lufta kundër korrupsionit,  duke kërkuar dhe mbështetur forma të reja bashkëpunimi me policinë gjyqësore, agjencitë e tjera në Korçë, si Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), dhe tërheqja e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit.

Marku ka kërkuar nga prokuroria e Korçës nxitjen e analizave të përbashkëta me organet tatimore dhe doganore për të identifikuar shkelje të ligjit në këto fusha nëse ka, pasi siç del nga raporti për vitin 2017 ka vetëm një kallëzim nga këto organe.

"Perkrahim hetime më të thelluara në luftën kundër drogës, ku megjithë suksesin e arritur, e bën të domosdoshme që prokuroria të mos mbetet vetëm me goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike, por të identifikojë dhe vendosë përpara përgjegjësisë penale grosistët, grupet që financojnë dhe organizojnë kultivimin e lëndëve narkotike, trafikimin etj.

Mbeshtesim fuqimisht prokurorët për të identifikuar shkelje të ligjit dhe regjistrimin e veprave penale kryesisht sidomos në mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga nëpunësit publikë; nëse ushtrimi i pushtetit është në interes publik apo përdoret nga nëpunësit si një formë për të nxjerrë përfitime të paligjshme të çdo lloji.

Nxisim analiza të përbashkëta me organet tatimore dhe doganore për të identifikuar shkelje të ligjit në këto fusha nëse ka, pasi siç del nga raporti për vitin 2017 ka vetëm një kallëzim nga këto organe".

Më herët, kryprokurorja e përkohshme ka marrë pjesë në analizat vjetore edhe të rretheve Elbasan, Shkodër, Durrës dhe Vlorë. 


/Ora News.tv/