Në një dalje për mediat, zëvendëskryeministri, Erjon Braçe, deklaroi se në tregun e karburanteve vazhdon të gëlojë paligjshmëria në aspektin fiskal. Kjo paligjshmëri, tha Braçe, është bërë aq e gjerë deri në kufijtë e krimit.

Braçe: Administrata tatimore ka zbuluar shkelje të rënda të ligjit në kufijtë e krimit, veçanërisht në skemën kriminale dhe të qëndrueshme të kalimit dhe operimit me kasat në regjimin manual të ndaluar rreptësisht nga ligji. Janë zbuluar diferenca të thella të pamenduara të litrave të regjistruara në pompa të shituara prej tyre me litrat e regjistruara në kasat fiskale që dëshmojnë për evazion fiskal të fuqishëm. 

Diferencat arrijnë në mijëra ton në harkun kohor nga vjeshta e 2017 deri më sot.Diferenca në litra për çdo pompë do ti nënshtrohet detyrimeve fiskale litër për litër deri në qindarkën e fundit ndërkohë të gjithë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale duke nisur nga dy të parët që janë vënë në pranga shtuar me administratorë kompanish, administratorë të pikave të karburanteve dhe administratorë dhe përgjegjës të kompanive të kasave fiskale duhet ti jepen drejtësisë pavarësisht emrit, madhësisë së kompanisë, parave që kanë akumuluar, miqve dhe shokëve në politikë, drejtësi dhe jo vetëm.

Braçe shprehu mbështetjen për hetimet e prokurorëve në Elbasan dhe Tiranë.

Braçe: Kërkoj prej tyre të thellojnë hetimet deri te përgjegjësi më i fundit. Hetimet e tyre janë jetike për ti dhënë fund këtij krimi të rëndësishëm për buxhetin e shtetit. 

Ndërkohë administrata doganore ka shtrirë kontrollet në magazinat e lira të kompanive të mëdha të karburanteve.

Braçe: Në 48 orët e fundit janë zbuluar diferenca të rëndësishme në inventaret e këtyre magazinave, kryesisht në produktin benzinë që arrin në dhjetëra ton. Administrata doganore po llogarit detyrimet fiskale të munguara dhe penalitetet në të njëjtën vlerë për secilën pa këto kompani. Dy administratat janë udhëzuar të bëjnë bilancin e naftës së importuar, naftës së prodhuar këtu dhe hedhur në tregun e brendshëm, shitjeve të deklaruara për ti dhënë fund evazionit, por mbi të gjitha edhe mishelimit që cënon rëndë cilësinë e karburantit, një tjetër formë e qartë e grabitjes së qytetarëve thuajse në çdo pikë apo stacion ku shitet apo tregtohet ky produkt.

Numri dy i qeverisë tha se gjatë këtyre 10 ditëve Drejtoria e tatim-paguesve të mëdhenj ka bllokuar llogaritë e 22 kompanive të mëdha që kanë akumuluar borxhe të detyrimeve fiskale.

Braçe: Disa kanë reaguar duke shlyer detyrimet dhe llogaritë e tyre janë zhbllokuar. Të tjera kanë paguar një pjesë të detyrimit dhe llogaritë e tyre vijojnë të jenë të bllokuara deri në shlyerjen përfundimtare të detyrimit të gjithë vlerës. Të fundit nuk kanë reaguar. Prej tyre kanë rënë telefonat e drejtorëve, deputetëve, kryetarëve bashkive dhe disa ministra. E përsëris, harxhojnë kohën kot. Nuk do ti ndihmojë askush. Ndihmoni veten dhe paguani detyrimet fiskale të njohura. Mos krijoni borxhe të reja. Asnjë nuk do ju shpëtojë nga pagesa e këtyre detyrimeve.

/Ora News.tv/