Kryeinspektori, Shkëlqim Hajdari, ka deklaruar dhënien fund të inspektimeve në terren në subjekte, duke vënë në zbatim analizën e riskut. Në takimin me përfaqësiesit e biznesit amerikan, ai tha se do të marin fund kontrollet pa kriter dhe abuzimet e inspektorëve.  Ndërkohë Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Crowford, u shpreh se inspektorët janë të mirëpritur nëse nuk pengojnë punën.

Inspektorët nuk do të ushtrojnë me kontrolle fizike në çdo subjekt që kanë në mbikqyrje.

Në bazë të rregullores së re, verifikimet do të mbështeten në analizën e riskut, ku është sistemi ai që sinjalizon për mundësinë e shkeljeve.

Në një takim me përfaqësues të biznesit amerikan, kryeinspektori Shkëlqim Hajdari tha se me këtë formulë u jepet fund ryshfeteve.

Shkëlqim Hajdari: Jemi të vendosur për ti shkuar deri në fund kësaj reforme, e cila nga pikëpamja poltike është lancuar herët nga kryeministri Rama, i cili me të drejtë segmente të caktuara të inspektoriateve i ka konsideruar banda, të cilët punën e tyre si inspektorë e kanë kthyer në mjet fitimi,mjet shkatërrimi për bizneset e ndershme. Situatë e cila nuk është siç ishte para një viti, dy vjetësh, ju besoj jeni dëshmitarë.

Megjithatë ai paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë për shkelësit e ligjit.

Shkëlqim Hajdari: Inspektoriatet do të jenë të ashpra me ato biznese që konstatojnë paligjshmëri të mëdha gjatë prodhimit, gjatë importimit të mallrave, kushteve të sigurimit në punë, mjedisit etj.Por do të jenë të ashpër me ata që shkelin ligjin. Bizneseve të ndershme do u kthehet qetësia.

Presidenti i Dhomës Amerikane  të Tregtisë, Marc Crowford, u shpreh se inspektorët janë të mirëpritur deri në momentin që nuk krijojnë pengesë për punën e biznesit.

Marc Crowford: Unë e shoh auditin ose inspektorin si një ndihmë falas, i mirëpres kur vinë. Nuk i mirëpres nëse vinë dhe më harxhojnë të gjithë ditën, apo të gjithë javën. Por nëse vinë dhe më ndihmojnë të bëj biznes me efikas, më të drejtë apo më fitimprurës.

Reforma e inspektimeve në subjekte të ndryshme është një kusht edhe për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

 

/Ora News.tv/