Mungesa e transparencës në shpenzimet publike është kthyer në një problem për ekonominë shqiptare. Në një audit të kryer nga Kontrolli i Shtetit rezulton se shumat e tenderave raportohen me vonesë në thesar. Eksperti Zef Preçi sqaron se kjo ndodh për shkak të përzgjedhjeve klienteliste që bëhen për projekte të ndryshme duke keqpërdorur fondet publike.

Mungesa e transparencës në përdorimet e fondeve publike mbetet një problem shqetësues.

Sipas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se vlerat e tenderëve nga Agjencia e Prokurimeve Publike (APP) raportohen me vonesë në thesar dhe ato nuk i përgjigjen vlerës së kërkuar në thesarin e shtetit.

Eksperti i njohur Zef Preçi deklaron se një fenomen i tillë rrit korrupsionin në ekonomi dhe shkakton përzgjedhje klienteliste të kontratave.

 Preçi: Ky problem mendoj se tashmë është agravuar dhe zë fill me përzgjedhjet klienteliste të partnerëve nga komuniteti privat vendas dhe i huaj që përfshihen në këto kontrata dhe pastaj çon në situata qesharake siç është dhe rruga tek Astiri. Kam bindjen se me avancimin e reformës në drejtësi, Shqipëria do ketë mundësi të ballafaqohet dhe me raste të tilla ku ndëshkimi mendoj se është i ligjshëm.

Kjo mënyrë sipas Preçit shkakton  keqpërdorim të fondeve publike.

Preçi: Efektet lidhen nga përdorimi jo efiçent i fondeve publike p.sh në prokurime fakti që kompanitë përfitojnë afërsisht 100% të fondit limit, është tregues se nuk ka më fshehtësi informacioni përballë operatorit privat aty ku ka interesa ekonomike.

Sipas auditit drejtoria e Thesarit nuk ka informacion për prokurimet e shpallura dhe kontratat e pritshme, gjë që duhej paraqitur në raportimet faktike të planit buxhetit dhe të monitorohej më pas me Drejtorinë e Buxhetit me qëllim planifikimin koherent të programeve buxhetore të ardhshme.

/Ora News.tv/