Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj reagoi pas goditjes së grupit që kontrabandonte mallra pa akcizë. Në një reagim në rrjetet sociale, Xhafah thotë se operacioni ishte meritë e strukturave kundër krimit ekonomik dhe një bashkëpunim i mirë me Prokurorinë e Tiranës.

Reagimi i Xhafajt

Një tjetër goditje e “Forcës së Ligjit” ndaj një grupi të strukturuar kriminal që kontrabandonte mallra të ndryshme. Operacioni, meritë e strukturave kundër krimit ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. Bashkëpunim shumë i mirë me Prokurorinë e Tiranës.

Disa operacione domethënëse po finalizohen në fushën e krimit financiar, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Mbështetje logjistike dhe asistencë për strukturat policore kundër krimit ekonomik në muajt në vijim, për një hop cilësor dhe hetime efikase dhe proaktive në këtë fushë.

Vlerësim i veçantë për Policinë e kryeqytetit, që megjithë ngarkesën e madhe ditët e fundit, me mbështetjen aktive edhe të Drejtorisë së Përgjithshme, kanë siguruar njëkohësisht rendin e qetësinë publike dhe vazhdojnë të dëshmojnë angazhim e rezultate të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

/Ora News.tv/