Konsorciumi që ndërtoi aeroportin e tretë të Stambollit kërkon ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Konsorciumi që ndërtoi aeroportin e tretë të Stambollit

Qeveria merr kërkesën zyrtare për aeroportin e Vlorës.

Njoftimi është bërë nga kryeministri Rama mëngjesin e sotëm përmes një  postimi në faqen e tij të facebook.

"Kemi kërkesën zyrtare për investimin e madh të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës.Deri në qershor hapja e kantierit."

Ndërkohë mbrëmjen e 15 janarit 2018 kryeministri Rama deklaroi në Tonight Ilva Tare se kërkesa do të vijë nga i njëjti grup që ndërton aeroportin e tretë të Stambollit.

Rama deklaroi: "Besoj se këtë javë duhet të na vijë kërkesa zyrtare për aeroportin e Vlorës dhe jemi në fazë të avancuar të instalimit të linjës tonë ajrore. Besoj se do të krijohen kushtet për më tepër konkurrencë dhe më pas çmime më të ulëta. Do të vijë kërkesa nga i njëjti grup që ndërton aeroportin e tretë të Stambollit. Në Sarandë aeroport turistik, në Vlorë rajonal."

Ministria e  Infrastrukturës konfirmoi sot:  "Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është paraqitur shprehja e interesit për projektin e Aeroportit të Vlorës. Oferta është paraqitur nga një konsorcium i tre kompanive ndër më seriozet, të cilat janë: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction.

Me marrjen e ofertës, do të ngrihet një grup i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që do shqyrtojë aspektet teknike të propozimit dhe ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore.

Ministria sqaron se investimi do të jetë privat, jo nga buxheti i shtetit. 

Aeroporti i tretë i Stambollit, pas aeroporteve Ataturk dhe Sabiha Gokcen, është duke u ndërtuar në Arnavutkoy, në pjesën veriperëndimore të anës evropiane të rajonit. Plani i investimit eshte 13 miliarde euro dhe terminali i parë pritet të vihet në punë në shkurt 2018.  Aeroporti planifikohet të jetë një ndër më të mëdhenjtë në botë, me kapacitet 150 milionë pasagjerë në vit dhe planifikohet që në të ardhmen të shkojë në 200 milionë pasagjerë.

EMISIONET