Donika Prela konfirmohet në detyrë, KPK: Akuzat ndaj saj nuk u provuan

Donika Prela konfirmohet në detyrë, KPK: Akuzat ndaj saj nuk u provuan

Komisionit të Pavarur të Kualifikimit iu deshën gati dy javë që të shpallnin vendimin përfundimtar për drejtuesen e komanduar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Në përfundim KPK vendosi ta rikonfirmojë në detyrë zonjën Prela, duke i cilësuar të pabaza akuzat e bëra në adresë të saj.   

Me këtë vendim Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  ka rikonfirmuar në detyrë drejtuesen e komanduar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

"Trupi gjykues pasi shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit, zhvilloi një procedurë të thellë hetimi administrativ për tre kriteret e vlerësimit, dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancën 22 janarit 2019, vlerësoi të gjithë dokumentacionin shpjegues dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë përgjigjeve me rezultatet e hetimit si dhe atë të bërë prezent në seancën dëgjimore vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Donika Prela" deklaroi Roland Ilia.

Ndryshe nga sa ka qenë praktike nga KPK,  për këtë subjekt vendimi u shty me 8 ditë.

Drejtuesi i trupit gjykues, Roland Ilia, sqaroi  se kjo ndodhi  për shkak të një  denoncimi të kryer në media, por pas hetimit të thelluar ka rezultuar se akuzat ndaj saj nuk qëndronin.

Roland Ilia:"Pas një denoncimi publik të përcjellë përmes mediave për këtë subjekt rivlerësimi trupi gjykues ka njoftuar me datën 28.01.2019 shtyrjen e seancës për zonjën Prela për në datën 05.02.2019 duke konsideruar të nevojshëm verifikimin e këtij denoncimi nëse kishte elementë apo indiciet e duhura për rihapjen e hetimit. Verifikimet u kryen javën që shkoi nga trupa gjykuese dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe verifikimet çuan në përfundimin se deri tani nuk ekziston asnjë indicie serioze që mund të çonte në hapje të hetimit".

E pranishme në seancë,  Prela nuk pranoi të prononcohej për mediat.

Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda iu nënshtrua hetimit bazuar në tre kritere vlerësimi, atë të pasurisë, kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale.

Në lidhje me kriterin e pasurisë, Prelës iu konstauan probleme me të ardhurat e bashkëshortit por që sipas sqarimit të bërë prej saj gjithçka është e justifikuar.  

PD ndërkohë ka hedhur akuza ndaj Prelës. Sipas selisë blu, përveç të ardhurave në të zezë nga bashkëshorti i saj, zonja Prela figuron në përgjimet e bandës së "Avdylajve" dhe po ashtu edhe një takim që ajo kishte zhvilluar një muaj më parë me anëtarin e Komisionit që gjykon atë.

Pas kalimit te vettingut, Donika Prela, pritet të kandidojë edhe për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

Lexo edhe: Donika Prela probleme me pasurinë


EMISIONET