Shqipëria rrezikon seriozisht të mos kalojë pragun e rritjes ekonomike me 3% për vitin 2019. Ndjeshëm më ulët sesa parashikimet buxhetore të qeverisë shqiptarë dhe institucioneve kryesore financiare si FMN dhe BB.

Qendra e studimeve të Konfindustrisë bazuar në analizën e treguesve kryesorë makro ekonomik dhe performancës fiskale të 3-mujorit të parë thotë se 2019 do të jetë i vështirë për ekonominë shqiptare.

Sipas Konfindustrisë, rreziqet kryesore  lidhen me prodhimi i ulët dhe importet tepër të larta të energjisë elektrike, pasojë e thatësirës së tejzgjatur.

Një tjetër faktor ndikues është rënia e ndjeshme e investimeve të huaja me mbylljen e disa projekteve të rëndësishme si TAP, HEC-et e Lumit Devoll, etj. Heqja dorë nga disa projekte të rëndësishme të PPP/partneritetit publik privat si p.sh koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar, - pritshmëritë e ulta të prodhimit bujqësor dhe blegtoral si pasojë e motit dhe ndryshimeve fiskale si TVSH-së së autofaturuar fermerëve.

Sipas Konfuindustrisë edhe gjendja e tensionuar politike mund të sjellë pasoja të padëshirueshme në sezonin turistik të vitit 2019.

Në deklaratë theksohet se rënia e ndjeshme me pothuaj 8.5 milionë e të ardhurave buxhetore për muajin janar 2019 si dhe stoku i lartë prej mbi 120 milion euro e detyrimeve të prapambetura të TVSH për bizneset, janë tregues të rendimentit fiskal në kah ulës të ekonomisë shqiptare.

/Ora News.tv/