Konfindustria: Ndryshimi i ministrave nuk ndryshon gjendjen e vështirë ekonomike

Konfindustria: Ndryshimi i ministrave nuk ndryshon gjendjen e vështirë

Konfindustria ka reaguar në lidhje me ndryshimet e fundit në qeveri duke theksuar se ato janë të pamjaftueshme për të bërë të mundur tejkalimin e gjendjes së vështirë ekonomike dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm në vend.

Ndryshimet në emra ministrash, duhet të shoqërohen me analizat sektoriale dhe dhënien e zgjidhjeve strategjike tërësore për përmirësimin e politikave ekonomike, financiare, fiskale të deritashme, theksohet në deklaratë.

Konfidunstria i cilëson shqetësuese vlerësimet e Bankës Botërore dhe FMN për rënie të rritjes së Prodhimit Brendshëm Bruto për vitin 2019 në nivelin e 3.6-3,7% nga 4.3-4.5% i paraqitur nga qeveria shqiptare.

më tej theksohet se ulja me pothuaj 25% e parashikimit të rritjes ekonomike të vendit, rrezikon të gjitha objektivat e buxhetit fiskal 2019 dhe është tregues i problematikave të thella të ekonomisë shqiptare, të pamundura të zgjidhen thjesht me ndryshime individësh në poste qeveritare.

Sipas konfindustrisë, rënia e rendimentit fiskal të ekonomisë dhe politikat e PPP dhe koncesioneve të privilegjuara, përfshi edhe praninë e zgjeruar të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, kanë sjellë rritjen faktike të borxhit publik në nivelin shqetësues të mbi 82% të PBB, më të lartin në Rajon.

Konfindustria vlerëson, se ekonomia shqiptare po shkon me shpejtësi drejt ngurtësimit të plotë si pasojë e mungesës së konkurrencës dhe monopolizimit sidomos në sektorët strategjikë të ekonomisë si karburantet, financat, bankat, portet, aeroportet, infrastruktura, energjia, etj. Pasojë e drejtpërdrejtë sipas Konfindustrisë, janë çmimet më të larta në rajon për karburantet, energjinë, kredidhënien dhe shërbimet aeroportuale.

EMISIONET