Ndërtimi i impiantit të përpunimit të ujit në liqenin e Bovillës është tenderi i rradhës që ka fituar kompania Fusha, emri i të cilës u bë i njohur pas ndërtimit të Sheshit Skënderbej dhe ofertës për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Fondi limit është 420 milionë lekë ndërsa kompania në fjalë u shpall fituese në garën ku morën pjesë edhe katër kompani të tjera.

Rezulton se kontrata me firmën fituese është lidhur në 23 tetor ndërsa punimet për ndërtimin e impiantit që rrit kapacitetet e furnizimit me ujë të qytetarëve do të zgjasin rreth 10 muaj.

Në fazën e parë të zbatimit impianti do të mundësojë 600 litra për sekondë ndërsa në përfundim të tij do të mundësohet furnizimi me 1800 litra ujë për sekond.

Firma e ndërtimit “Fusha” ka qënë edhe objekt i akuzave të Partisë Demokratike dhe shoqërisë civile, sipas të cilave kjo kompani është favorizuar nga qeveria.

Rezulton se tenderat në të cilat kjo kompani është shpallur fituese e disa prej projekteve të rëndësishme kapin vlerën e 5 miliardë lekëve .

/Ora News.tv/