Opozita pas takimit me Komisonin e Venecias: Rama kërkon të tërheqë ndërkombëtarët në lojën e turpshme
Delegacioni i Komisionit të Venecias nis takimet në Tiranë në kuadër të përgatitjes së opinionit mbi kompetencat që Presidenti ka në proceset zgjedhore
Takimet i parë ishte me përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha.
Ish deputetët, Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha akuzuan Parlamentin dhe Ramën se po kërkon të përfshijë Komisionin e Venecias në lojën e turpshme të kapjes së të gjitha pushteteve.
Oerd Bylykbashi deklaroi: Komisioni i Venecias ka ardhur me ftesë të Kuvendit për të dhënë një opinion lidhur me procedurën e turpshme për shkarkimin e presidentit që parlamenti ka nisur. Kjo është një përpjekje e qeverisë që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, që është në themelet e një krize kaq të madhe parlamenti përpiqet të tërheqë Komisionin e Venecias dhe Këshillin e Europës në lojën e turpshme për të kapur të gjitha pushtetet, përfshi dhe atë të Presidentit të Republikës. Kushtetuta është mjaft e qartë. Presidenti shkarkohet vetëm nëse ka shkelur rëndë Kushtetutën, ndërsa presidenti është përpjekur të garantojë zgjedhje të lira të ndershme, unitetin e popullit dhe pluralizmin në Shqipëri. Parlamenti përpiqet të shkarkojë presidentin dhe në këtë lojë përpiqet të bëjë palë dhe ndërkombëtarët.
Klajda Gjosha: Është një cështje e paprecedentë. Aq më tepër një vënd që kërkon të celë negociata dhe dëshiron të jetë anëtar i BE. Në momentet kyce kur qeveria duhej të fokusohej në plotësimin e kushteve për celjen e negociatave merremi me një çështje që është e rëndë edhe për imazhin e vendit, dhe aq më tepër të kërkosh dhe ftosh institucionet ndërkombëtare për të zgjidhur një çështje për të mbuluar keqqeverisjen e gjithë kësaj kohe dhe një raport të OSBE që thotë se zgjedhjet në Shqipëri janë pa standarde dhe shumë larg një vendi që kërkon të jetë anëtar i BE.
Në vijim delegacioni i Venecias është takuar me kreun e grupit të PS-së, Taulant Balla, deputetë të opozitës në Kuvend dhe kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi.
Komisoni i Venecias zbarkon në Tiranë
Delegacioni do të qëndrojë dy ditë në Tiranë. Ekspertët europianë kanë parashikuar të takohen në Kuvend me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.
Gjithashtu takime do të kenë me Presidentin, Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe përfaqësues të KQZ-së.
Delegacioni vjen në Tiranë një ditë pasi Kreu i Shtetit raportoi në Komisionin Hetimor të ngritur nga mazhoranca për shkarkimin e tij.
Pse erdhi?
Institucioni europian u vu në lëvizje nëpërmjet një letre që Kuvendi i Shqipërisë i drejtoi për t'i marrë opinion nëse Presidenti e ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e 30 qershorit. Në letrën e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Komisionit të Venecias i kërkohet opinion për 8 çështje kushtetuese, kryesisht mbi rolin që ka Presidenti në regjimet parlamentare në raport me proceset zgjedhore. Pas vizitës në Tiranë, ekspertët e Komisionit të Venecias pritet të hartojnë një opinion paraprak, ndërsa opinioni përfundimtar do të miratohet më 12 tetor.
