Komisioneri i lartë i OKB-së, Filippo Grandi tha se Bashkimi Evropian sot nuk është i përgatitur për një krizë refugjatësh.

Në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt, Grandi tha se fushata e disa shteteve anëtarë, të cilat i konsiderojnë refugjatët një kërcënim, nuk i ndihmon ata.

Filippo Grandi, i cili është kreu i agjencisë së OKB për refugjatët që prej 2016 tha se Evropa ka një përgjegjësi për t'u marrë me krizat e refugjatëve në Lindjen e Mesme, Afrikë, Amerikën Latinë dhe Azinë.

"Në Libi, ndër të tjera Evropa duhet të angazhohet për ti dhënë fund konfliktit civil", tha ai.

"Gjendja e refugjatëve ende po përkeqësohet dhe në kampet e refugjatëve njerëzit janë kërcënuar drejtpërsëdrejti nga luftimet" tha ndër të tjera Grandi.

Zyrtari i lartë i OKB-së paralajmëroi se Evropa nuk duhet të bëjë gabim të heqë çështjen e refugjatëve nga rendi i ditës. Ai gjithashtu thekson nevojën për më shumë unitet në organizimin e politikës së refugjatëve në Evropë.

 "Shtetet anëtare duhet të menaxhojnë më mirë krizën e refugjatëve për të ndaluar kontrabandistët ", tha Grandi, ndërsa  shtoi se duhet të ketë më shumë mundësi për refugjatët ekonomikë për të ardhur në Evropë ligjërisht me viza apo nëpërmjet kuotave.

/Ora News.tv/