Partitë e koalicionit qeverisës thonë se nuk i frikësohen një mocioni eventual të opozitës për rrëzimin e Qeverisë, ngase sipas tyre, Qeveria aktuale është stabile dhe nuk mund të ketë zgjedhje të reja.

Koalicioni aktual ka në përbërje Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re si dhe pjesëtarët e komuniteteve joserbe. Përderisa Lista Serbe ka lëshuar tri poste ministrore dhe është pozicionuar në opozitë.

Nga momenti i daljes së Listës Serbe, partitë opozitare kanë propozuar arritjen e një marrëveshjeje për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Në të kundërtën, siç janë deklaruar ato, do të iniciojnë një mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë.

Memli Krasniqi, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se deklarimet e partive opozitare për mocionin nuk janë serioze, dhe sipas tij, në këtë situatë nuk mund të ketë rezultate as një mocioni mosbesimin ndaj Qeverisë Haradinaj.

“Qeveria e ka stabilitetin e nevojshëm dhe absolutisht nuk ka mundësi që kurrfarë mocioni të jetë i suksesshëm. Pavarësisht kësaj, ne duhet të shohim nga perspektiva e nevojave të vendit tonë. Kosova në këtë moment absolutisht nuk ka nevojë për zgjedhje, por ka nevojë për punë dhe stabilitet”, tha Krasniqi.

Tutje, ai thotë se qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, është që mandati i kësaj Qeverie të shkojë deri në fund.

Koalicioni qeverisës me kryeministër Ramush Haradinaj kishte 62 vota në Kuvend, mirëpo pas daljes nga bashkëqeverisja e Listës Serbe, ky koalicion tash ka vetëm 52 deputetë nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se Qeveria është stabile, dhe sipas tij, derisa ka Qeveri funksionale dhe dinamike, ajo meriton ta përfundojë mandatin.

“Duke e parë konfiguracionin që ekziston në Kuvendin e Kosovës, konsiderojmë se zgjedhje nuk mund të ketë shkaku i votave të opozitës. Megjithatë, është një obligim opozitar që të kërkohen zgjedhjet dhe të punohet sa më shumë të korrigjohet Qeveria në punën e saj”, tha Isufi.

Bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, po që se asaj nuk i bashkohet Lista Serbe.

Idetë për rrëzimin e Qeverisë, janë iniciuar kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe së fundit nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Por, në anën tjetër, shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu nuk mendon se ka ende diçka serioze në drejtim të ngritjes së një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë.

Deputeti Sejdiu tha të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës se Grupit të Deputetëve të Pavarur është i interesuar që me anë të iniciativave të ndryshme bashkë me grupet e partive opozitare të ndryshohet formatin e Qeverisë aktuale.

“Për momentin nuk kemi situatë në të cilën mund të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme sepse nuk ka ndonjë iniciativë konkrete, përveç se situatave hipotetike”, tha Sejdiu.

Njohësit e rrethanave politike në Kosovë thonë se Qeveria Haradinaj e ka të vështirë të mbijetojë, sepse koalicioni qeverisës është i brishtë dhe nuk mund t’i shtyjë përpara shumë procese të rëndësishme, pasi që sipas tyre nuk e ka shumicën në Kuvend. /rel

/Ora News.tv/