Koalicioni në Gjermani, negociatat “ngecin” në çështjen e refugjatëve

Koalicioni në Gjermani, negociatat “ngecin” në

6 orë bisedime të nivelit të lartë për krijimin e koalicionit qeverisës në Gjermani kanë “ngecur” në çështjen e refugjatëve. Negociatorët deklaruan shtyrjen e mëtejshme të bisedimeve, ndërkohë që theksuan vendosmërinë për të gjetur zgjidhje për çdo çështje që shqetëson konservatorët e zonjës Merkel dhe Social-Demokratët e zotit Shulc.

6 orë bisedime përgjatë natës mes konservatorëve të kancelares gjermane Angela Merkel dhe Social-Demokratëve të udhëhequr nga Martin Schulz, janë shtyrë në orët e para të mëngjesit të së hënës, teksa palët duket se do të diskutojnë deri në 4 shkurt, që është edhe afati për konkludimin e këtyre negociatave. “Puna dhe diskutimet vijojnë,” u shpreh Michael Grosse-Brömer, menaxher i aleancës parlamentare të Merkel. Sipas tij, të gjitha palët e përfshira në negociata janë “të vendosura për të gjetur zgjidhje”.

Sipas raportimeve, 15 negociatorët pjesëmarrës në raundin 6-orësh të bisedimeve, ku të pranishëm ishin edhe zonja Merkel e zoti Schulz, kanë diskutuar lidhur me çështje të politikës së jashtme, të drejtat e njeriut dhe të mbrojtjes. Por krahas politikës së refugjatëve, palët kanë ndasi edhe në tematika si politikat e punës apo sigurimet shëndetësore.

Dështimi edhe në këtë raund negociatash mund ta detyrojë kancelaren Merkel të kryesojë një qeveri pakice ose të shkojë në zgjedhje të tjera federale, vetëm pak muaj pas votimit të shtatorit ku konservatorët dhe Social-Demokratët pësuan humbje të mëdha.

EMISIONET