Këshilli i Lartë i Prokurorisë  ka vendosur zëvendësimin e disa drejtuesve të prokurorive pas shkarkimit nga vettingu të titullarëve të mëparshëm në këto institucione.

KLP caktoi Sali Hasën, drejtues të përkohshëm të Prokurorisë Sarandë pas shkarkimit të Edison Ademit. Propozimi i Sali Hasës për drejtues i Prokurorisë Sarandë është miratuar me 7 vota pro.

Ludovik Doda caktohet drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Apelit Durrës me 10 vota pro pas shkarkimit të Ferdinand Elezit.

Po kështu është miratuar me 5 vota pro, caktimi në detyrë (rikthim në sistemin e prokurorisë) pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, i prokurorit Leonard Filopati për shkak të mbarimit të afatit të komandimit në Ministrinë e Drejtësisë.

KLP ka miratuar gjithashtu me 5 vota pro caktimin në detyrë të prokurorit Bledar Valikaj në Prokurorinë  e Shkallës së Parë Tiranë, i cili është bashkëshorti i deputetes Ermonela Felaj. Në mbledhjen e datës 25 mars, KLP vendosi dhenien e statusit të prokurorit për Bledar Valikaj.

Në mbledhje KLP miratoi edhe raportin për analizën e aftësive profesionale të 10 prokurorëve kandidatë për në SPAK. KLP bëri me dije se një kopje e ketij raporti i dërgohet menjëherë KPK-së dhe ONM për procesin e vettingut.

Në mbledhjen e të hënës nuk u pranua  te merrte pjesë anëtari i ri i KLP-së, Vate Staka, pasi duhet pritur afati 5 ditor i apelimit të mundshëm të zgjedhjes së tij. 

Ndërkohë  Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit ka shkarkuar  nga detyra kryetaren e Gjykatës së Gjirokastrës  Albina Spahaj e cila rezultoi me probleme në justifikimin e pasurisë.


/Ora News.tv/