Kisha njëmijëvjeçare e Kalivares

Kisha njëmijëvjeçare e Kalivares

Kisha e Kalivares në Fanin e Madh, njihet si kisha më e vjetër e datuar pas Abacisë së Mirditës. Historiani vendas i gjysmës së parë të shekullit XX, Dom Nikollë Kimza, që ka shërbyer për shumë vite si famulltar i Kalivares, ka shkruar se ajo është themeluar në vitin 1154 dhe është në të nëntin shekull të jetës së saj të pandërprerë, gjithherë me një plang të pandërruar

Në kulturën shqiptare janë ca tempuj të krishterë që nuk duhej t’u ishte bjerrë shkëlqimi i shekujve, edhe pse prej tyre nuk ka dalë “Formula e Pagëzimit”, “Meshari”, “Çeta e Profetëve” etj. E vërteta është se ato ishin po aq çerdhe të dijes, shkrimit, pajtimit sa dhe kishat ku u shkruan librat e parë në gjuhën shqipe dhe se “libri i parë” mund të ishte shkruar në secilën sosh. Gjon Buzuku ishte veçse njëri nga priftërinjtë dijetarë e shkrimtarë të mesjetës, në rend me Budin, Bogdanin, Bardhin, Hasin, Mazrekun, Kazazin, Matrangën, Varibobën etj. Koha po nxjerr dhe të tjerë emra të pandriçuar nga historiografia, nga Stublla e Karadakut në Himarë. Se ç’kanë prurë famullitë, abacitë e dioqezat e vjetra shqiptare në lëmin kulturologjik, mjafton të kujtohemi se ç’ishte më pas Gomsiqja për Gjeçovin, Kukli për Mjedën, Oroshi për Imzot Doçin, Shkreli për Dom Ndoc Nikajn, Durrësi për Dom Nikollë Kaçorrin, Rubiku për At Fabian Barcatën, Vlora për Dom Mark Vasën, Ndërfana për Dom Dodë Kolecin etj., ashtu si dhe kishat katolike të Kthellës, Selitës, Lurës, Lisit, Kurbinit, Dukagjinit, Nikaj-Mërturit, Kryeziut etj.

Kisha e Kalivares, në Fanin e Madh, njihet si kisha më e vjetër e datuar e Abacisë së Mirditës. Historiani vendas i gjysmës së parë të shekullit XX, Dom Nikollë Kimza, që ka shërbyer për shumë vite si famullitar i Kalivares, ka shkruar se ajo është themeluar në vitin 1154 dhe është në të nëntin shekull të jetës së saj të pandërprerë, gjithherë me një plang të pandërruar. Vjetërsisë së Kalivares, shkruan ai, i afrohet një kumbonë që gjendet në këtë famulli e që mban vitin 1436. Ajo peshon 100 kg, por nuk thuhet se ku u shkri. Kumbona ka një histori të rrallë, zbulohet në Kukës nga një vajzë myslimane mbas shumë vitesh e fshehur. Pas Kalivares, për nga vjetërsia, si datim, vjen kisha e të Shëlbuemit Rubik, kuvend benediktin, abati i së cilës përmendet në vitin 1166, si pjesëmarrës në një ceremoni shugurimi në Kotor të Malit të Zi, teksa në këtë kohë kemi dhe tre kuvende të tjera benediktine në Mirditë: i Oroshit, i Shpalit dhe i Ndërfanës. Kalivarja rrëzë Munellës nuk ka qenë kuvend benediktin, e megjithatë vjen e njëkohshme me këto kuvende të mirënjohura në të gjithë botën antike katolike. Në Mirditën etnografike e etnologjike (me rreth 200 kishë e rrënoja kishash në mesjetë), pa mëdyshje në ato kohë parake të shekullit XII, në rend me kishën e Kalivares dhe 4 kuvendet benediktine të mësipërme ka pasur dhe kisha të tjera, por që nuk ka qenë e mundur të na vijnë prej tyre mbishkrime muresh, arkitrash, kumbonësh etj. Ka qenë interesi studimor i Dom Nikollë Kimzës që kemi sot dëshmitë mbi kishën e Kalivares dhe kumbonën proverbiale të saj.

Kodër Kumbona, një “kumbanore” e hershme e Fanit të Madh

Munella është mali që ndan për kurriz ujërat që vijnë nga qielli, shirat e beftë e të dendur, gjysmën duke ia kaluar Fanit të Madh e gjysmën Fanit të Vogël, duke ndarë kështu në dysh dhe vetë krahinën e Mirditës, shtrirë më së shumti në këto dy lugina. Në lartësinë e dy mijë metrave, është Maja e Kryqit, si për të treguar se ai mal është hyjnor, ashtu si mbarë treva e Mirditës është e pasur për nga toponimia e vjetër kishtare. Vendet tona me pyje e minerale janë plot me kodra, që si vashat e motit kundrojnë hijeshinë e njëra-tjetrës në bisht të syrit, por Kodër Kumbona që naltohet mes Gojanit të Madh e Gojani të Vogël është me shenj, jo se aty mblidheshin të rinjtë shkollarë në piknik, po se për banorët ajo ishte “kumbanorja”, ndonëse e pandërtuar me gur. Një ballkon në këmbë të malit të Suçelit (ngjan me fjalën: syçelëtit), ku mund të rrokej me sy e gjithë lugina e Fanit të Madh. Në atë kodër kishte qenë vendosur kumbona e madhe e kishës së Kalivares, katër-pesë kilometra larg saj, prandaj dhe vendi quhet “Kodra e K’monës”, ndërkohë që në afërsi të kishës ishte një tjetër kodër ku rrinte varur kumbona e vogël.

Një gojanas i vjetër, Zef Pepaj, nënprefekt i Zogut në Dukagjin, Vlorë, Tuz etj., sjell në kujtesë fëmijërinë e tij: “Kaluam lumin e Fanit të Madh, afër katundit Gojan i Epërm dhe dolëm në Kodër të Bollave, vend pushimi për udhëtarët, aty ku Gojani shkonte te kisha e Kalivares për të parë meshën e së Dielës dhe për festa të tjera fetare; aty njerëzit ndaleshin me pushue dhe pritnin sa të grumbullohej i gjithë fshati, burrat shtinin në shenj, derisa gratë fillonin me vajtue të vdekurit e atij viti. Mbasi mblidhej i gjithë fshati, niseshin për te kisha, burrat tue këndue e shti pushkë…” Mundet që kaq nuk do të ishte e mjaftueshme të shkruhej për Kodrën e Kumbonës, pasi kudo kumbonët e kishave ishin nëpër kodra, që të dëgjoheshin në krejt fshatrat e famullisë, por ajo e Kalivares, siç u tha, ka një histori të pabesueshme, që vjen përmes rrëfimit të Dom Nikollë Kimzës.

Një vajzë myslimane zbuloi kumbonën e Kalivares

Ai shkruan se rreth vitit 1790, kumbona u gjet në Kodër të Vaut Spas, në breg të Drinit, përfundi Urës së Vezirit, përballë Kalasë së Lekës. Të krishterët e atyre anëve e kishin fshehur në dhè në kohën “kur furia gjakësore e turkut dërmonte e zhdukte prej tokës së krishterë çdo shenjë të krishterimit në Shqipëri, e aty u vorrue e mbeti për qindra vjet”. Kumbonën e zbuloi rastësisht një vajzë myslimane, së cilës, duke korrur fier, i hasi kiza në një send të fortë. I ati i vajzës i dërgoi fjalë Gjok Jakut të Gojanit. Shtëpia e Jakajve kishte qenë ndër më të mëdhatë e më të njohurat e Mirditës. Ky shkon me kalë dhe e merr kumbonën. E vendos atë në një cuprrele në Kalivare, e cila nga ajo ditë e pas do të quhej “Kodra e K’monës”. Kumbona e zhvarrosur vihet veçan të tjerave dhe asaj i binte çdo të diel e në ditë festash një i shtëpisë aty afër kodrës. “Kur binin dy lagjet e k’monëve, besimtarët përshkoheshin nga mendimi: njani, zani i k’monës 500-vjeçare, e tjetri i kishës 800-vjeçare e thërrasin popullin me qëndrue i bashkuem gjithmonë në një fe, në një Krisht e në një Zot. Zemra e të krishtenit të k’tushëm, që i ndigjon, preket, thyhet e përulet para vërtetësisë së përhershme që përmbledh gjithë shekujt e kohët në një pikë hyjnore që është Zoti vetë”. (D. N. Kimza, Mbi vjetërsinë e kumbonës së Kalivares, “Kumbona e së Dielles”, 1939, nr. 12, f. 184) Lexuesi e ka kapur nënteksin, dhe të asaj që e quajmë tolerancë fetare në Shqipëri. Është një vajzë myslimane që e zbulon kumbonën, është i ati gjithashtu i atij besimi që nuk e rrast më thellë nën dhé atë kumbonë, që të hupej përjetësisht, por e shtegton mbi kalë si një “nuse” drejt kishës së Kalivares. Le të mos rreshtim së treguari nga këto ndodhi në kohën e sotme, pasi nuk janë retorikë, por një sjellje unike ndër njerëz të besimeve të ndryshme.

Shën Demetri i Kalivares – “Anno Domini (Viti i Zotit) 1154”

Zona që përfshin fshatrat nga Gjegjani në Qafë të Malit, e njohur në Mesjetë si Fandi i Madh, dëshmohet si vendbanim i hershëm i Mirditës, për çka flet dhe zbulimi nga arkeologët i disa enëve dheu dhe tjegullave që u përkasin shekujve të parë pas Krishtit. Në gjurmimin e qendrave të hershme kishtare të Mirditës, studiuesit përmendin një mbishkrim të gjetur në një rrasë në murin e qelës së Kalivares me fjalët “Anno domini 1154”, datim që e bën kishën e Shën Demetrit të Kalivares më të vjetrin objekt kulti të krahinës. Në dy shekujt e fundit, pasi qe ndërtuar kisha e Qafës së Malit, në këtë kishë mblidheshin banorët e shtatë katundeve: Kimzës, Mesulit, Mushtës, Gojanit të Poshtëm, Gojanit të Epërm, Shkozës dhe Gjegjanit. (Hylli i Dritës, Shkodër 1931, f. 191.) Por jo gjithnjë kisha e Kalivares kishte mundur të ishte e mëkëmbur, ku për shkak të rrënimeve të turqve, ku për mungesë të meshtarëve. Relacionet e vizitorëve apostolikë e paraqesin gjendjen e saj në vazhdimësi. Kur Mirditën e viziton Shtjefën Gaspri më 1671, shërbesat kishtare të atyre banorëve kryheshin në kishën fqinje të Blinishtit. Vizitori shkruan se merren me Blinishtin dhe dy fshatra të tjerë, i pari është Fani i Madh, me 25 shtëpi dhe 200 frymë, larg nga Blinishti 8 milje, që ka kishën me emërtimin e Shën Demetrit (Kalivare), në gjendje të mirë, por pa zbukurime kishtare, i dyti është Rrasi, me 8 shtëpi dhe 64 frymë, që nuk ka kishë. Përkeqësohet gjendja tridhjetë vjet më vonë. Vinçens Zmajeviç më 1701 shkruan se kisha e Shën Demetrit është në gjendje të keqe, e pambuluar, ndërsa qela është e vogël sa për një njeri.

Në vitin 1915, Dom Pashk Krasniqi nga Kosova, luftëtar i paepur për lirinë e trojeve shqiptare, i kërcënuar seriozisht nga malazezët, që kishin pushtuar Shkodrën, gjen strehim në kishën famullitare të Kalivares. “I veshur si mirditas, me çakçirë, xhamadan, xhurdi, kësulë rrashtake të bardhë, del nga Shkodra e duke kaluar vende të panjohura e plot rreziqe, mbërriti në Mirditë, në katundin Kalivare, në qelën ku shërbente prifti fort i nderuem Dom Nikoll Kimza, i cili e strehoi me bujari. Por, për çudi, aty erdhi dhe një klerik mysliman, Sheh Ademi i Ishmit, i ndjekur si armik i Esat Pashës. Ndjenja atdhetare i bëri vëllezër, pasi ajo nuk i njeh dasitë fetare”. (Kol Shtjefni, “Dom Pashko Krasniqi…”, “Rilindja”, Tiranë 18.10.1994.)

Flitet se në kishën e Kalivares pas ’67-s janë ruajtur deri vonë dokumente arkivore me vlerë, të fshehura në çatinë e saj, por kjo nuk u vërtetua asnjëherë. Mund të ketë ndodhur si dhe në rastet e tjera, kur njerëzit që kishin dijeni për to, i digjnin sapo në Tiranë lëshohej një “kushtrim” i ri partiak kundër “zakoneve prapanike” e “mbeturinave fetare”.

Dom Nikollë Kimza, një personazh me fat të trishtë

E nis rrugën e meshtarisë në vitin 1905 dhe e vazhdon për më shumë se një gjysmë shekulli mes mirditasve. Jeta e tij është një roman më vete, nga më dramatikët. Për rreth 30 vjet shërben si meshtar në kishat e Bulgrit dhe Velës, në vartësi të Ipeshkvisë së Lezhës. Më pas, për 15 vjet famullitar i Kalivares. Në vitin 1947 ndodhet i arrestuar në burgun e Shkodrës së bashku me 12 meshtarë të tjerë, i dërguar për pak kohë edhe në tharjen e kënetës së Maliqit. Lirohet dhe kthehet në famullinë e Kalivarës, por tashmë i pasigurt për vazhdimin e misionit të tij apostolik dhe të punës studimore në lëmë të historisë. I sëmurë, i moshuar detyrohet të lërë atdheun me brengë në shpirt dhe të strehohet përkohësisht në Jugosllavi derisa vendoset në Romë, ku do të mbyllë sytë në vitin 1960. Sipas një burimi gojor, arkivoli me trupin e pajetë të “Priftit të Maleve”, siç e thërrisnin në Mirditë, sillet me anije në Durrës për t’u varrosur në atdhe, por kjo nuk qe e mundur. Shteti amë i kapërthyer nga ethet e kampit të trazuar socialist, nuk mundi të tregohej njerëzor me njërin prej atdhetarëve të Pavarësisë, ngaqë kishte ikur si armik i regjimit komunist. Si në një “odise” trupi i tij kthehet mbrapsht nëpër det për t’u prehur në tokën italiane. Dom Nikoll Kimza do të përfshihej në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në bashkëveprim me figura të tilla si Luigj Gurakuqi, Abat Doçi, Imzot Luigj Bumçi, prijësin Preng Bib Doda, luftëtarin Kolë Toma i Velës etj., ku në vitin 1912 në luftën e Shkodrës kundër malazezëve zihet rob nga Esat Pasha dhe burgoset.

Kimza nis të shkruajë herët. Disa shkrime publicistike i nënshkruan me pseudonimin “Munella”. Por pasioni i tij do të ishte historia, ku publikon përgjatë viteve ’20-’40 të shekullit të kaluar, kur dhe kishte arritur pjekurinë e historianit. Tribuna kryesore e publikimeve të tij në lëmin e historisë do të ishte revista e mirënjohur “Hylli i Dritës” që dilte në Shkodër. Objekt i studimeve të Kimzës ka qenë treva e Mirditës (origjina dhe lashtësia e saj, kanuni dhe struktura vetëqeverisëse, gjuha, kultura, Gjomarkajt dhe prejardhja e tyre, figurat e luftëtarëve popullorë si Ded Gjo Luli e të tjerë, vjetërsia e objekteve të kultit me vlerë unikale), po dhe prejardhja e Kastriotëve, hershmëria e Tiranës etj., që e nxirrnin këtë autor nga këndvështrimi lokal. Për të “nji n’ma t’mdhajat qendra katolike t’maleve ka kenë dhe asht populli i Mirditës, prandej çka pru ky popull për gjuhë, zakone, fise e gojëdhana, gjindet thjesht komtare e përkon me t’vjetrat shqyptare, e këndej n’çdo pikpamje (asht) ma e besueshme”. (Dom Nikollë Kimza, Hetime mbi vjetërsinë… H. D, nr. 7, 1937.)

As në moshën 80-vjeçare nuk e kishte lënë mënjanë lapsin, por shkruante“Kujtimet e burgut” që ka qenë lexuar nga bashkëkohësit në mërgim, kurse në italisht shkroi veprën historike “Albania e l’Occidente”, të dyja në dorëshkrim, që i kishte përfunduar deri në vitin 1956. Në një organ shtypi të diasporës më 20 korrik 1956 shkruhej: “Dom Nikolli i asht shpërvjelë punës në kët pleqni të shqetsueme dhe tue përdor shk(ë)ndillin poetik po shkruan vjersha atdhetare, didaktike e fetare, origjinale ose të përkthyeme prej latinishtes, gjithashtu pikpamjet e veta për unjisimin në prozë.

Shën Eufemia e Qafës së Malit

Qafa e Malit është pjesa më veriore e Mirditës dhe shtrihet nëpër gryka malesh e bjeshkësh në të dyja anët e Fanit të Madh. Famullia e Qafës së Malit u krijua aty nga viti 1788 me emrin e Zojës Sh’mri (Sanctae Euphemiae V.et.m). Në mesin e vitit ’30 të shekullit XX kisha e Sh’Misë është e vogël dhe e papërshtatshme, prandaj Abacia e Mirditës vendosi ndërtimin e godinës së re për banorët e afro 200 shtëpive, që më parë kishin qenë në juridiksionin e famullisë së Kalivares. Godina e re do të ishte me stil modern. Në famullinë e Qafës së Malit spikat sidomos shërbesa për një kohë të gjatë e priftit Dom Rrok Frisku, i lindur në katundin Mushtë të Spaçit në njërin prej fiseve më të hershëm të Mirditës. Mësoi për katër vjet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të kryer më pas studimet e larta për teologji në Austri. Më 1917 shërben për pak kohë në Orosh, pastaj emërohet famullitar i Sh’Misë së Qafës së Malit, ku qëndroi plot 22 vjet pa ndërprerje. Në korrik 1947 arrestohet për motive politike, dënohet me disa vite heqje lirie dhe vdes në Burgun e Shkodrës. Dom Rrok Frisku ishte figurë popullore dhe intelektuale që nderohej nga besimtarët, i përmendur për shuarjen e konflikteve, pajtimin e gjaqeve, shërimin e sëmundjeve, falë dhe dijeve të tij shkencore etj. Ai ishte mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Dom Nikollë Kimzës.

Post scriptum. Nuk është fjala vetëm për historinë. Një histori që nuk “përtërihet”, pa dashje turitet. Ndaj do të ishte me vend që pushteti vendor i Pukës dhe Mirditës, dioqeza e Rrëshenit, institucionet e kujtesës dhe të historisë të mblidheshin në ndonjë tubim, mbase jo dhe aq akademik, sesa përkujtimor, për këtë kishë njëmijëvjeçare, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për religjion, por dhe për kulturë, identitet, mbijetesë. Në Kalivare janë mbajtur dhe kuvendet e Dheut të Spaçit e më gjerë të krahinës së Mirditës, deri në 600 burra. Një pllakë, një obelisk, një dhomë muze nuk duan shumë shpenzime, por vlejnë së tepërmi. Teksa jo çdo gjë do ta presim prej pushtetit. Puka shquhet për biznesmenët e saj me përkushtim ndaj trashëgimisë kulturore, kësisoj një urë e stilizuar druri për këmbësorët, në imitim të urës së vjetër të Kalivares, fotografuar dhe nga Maksimilan Lambertci me 1916, do të ishte një atraksion më shumë për turistët. Zona e Gjegjanit dhe Gojanit dallohet dhe për emigrantë me dhunti kulturore e mundësi për të ndihmuar në këtë rrafsh, që gjithashtu mund t’i bashkohen nismës për ta gjallëruar më shumë luginën e tyre me histori e bukuri.

/Shkrimi u botua sot në gazeten Shqip/

EMISIONET