Familja “Ndrenika” nga Vunoi i Himarës, Qarku i Vlorës, e ndërtoi kishën e “Shën Nikollës”, ose “Shën Kollit” Shenjtit të Detrave dhe mbrojtësi i tyre në shekullin XVI. Së fundmi, një ekip nga Ministria e Kulturës, ka mbërritur edhe në këtë Kishë për të parë gjendjen në vend si dhe për të bërë vlerësimet e duhura.

Në pjesën e sipërme të fshatit Vuno (të Himarës së Vlorës) ka një kishë me një histori të pabesueshme.

Ajo është Kisha e “Shën Kollit” që u ndërtua prej Familjes “Ndrenika” dhe daton prej shekullit XVI.

Ne këtë kishë ndodhen varret e familjes “Ndrenika” prej nga rrjedh i madhi Robert Ndrenika dhe familjes “Anagnosti”* prej nga rrjedh dhe Dhimitër Anagnosti, regjisori i madh shqiptar) si dhe të disa familjeve të tjera.

Vetë kisha ka marrë një inklinim në pjesën veri-jugore të saj si pasojë e ndërhyrjes së papërgjegjshme nga Bashkia e Himarës 7 vjet më parë për shtrimin e ujësjellësit.

Kisha ishte ruajtur në formën e saj më të mirë deri në vitin e mbrapshtë 1967.

Në këtë vit, Këshilli Komunist i Fshatit i hoqi kësaj kishe çatinë për t’i shfrytëzuar tjegullat e saj për një stallë lopësh aty pranë.

Por edhe pse ka rreth 50 vjet zbuluar e pa çati, e pa kurrfarë mirëmbajtjeje, edhe pse ekipi i ngritur për seleksionimin e përfshirjes në monument kulture të objekteve të kultit në ato vite e që drejtohej nga Prof. Dr. Aleksandër Meksi nuk e vuri në mbrojtje këtë Kishë.

Megjithë këto, në fotografi shihet se ç’na sjell kjo kishë e Shën Kollit sot: Një mrekulli tjetër të artit biznatin.

Së fundmi, një ekip nga Ministria e Kulturës, ka mbërritur edhe në këtë Kishë për të parë gjendjen në vend si dhe për të bërë vlerësimet e duhura.

Vunoi i dhjetëra Kishave befason në çdo hap me mrekullitë e tij.

“Shën Nikolla”, ose “Shën Kolli” shkurtimisht, siç e dimë është Shenjti i Detrave dhe mbrojtësi i tyre.

Prandaj dhe “Ndrenikat” dhe “Anagnostët”, dy fise të mëdhenj e me shumë emër në atë fshat, e ndërtuan këtë kishë rreth 500 vjet më parë për nderin Shenjtit të tyre mbrojtës.

Çdo lagje në Vuno ka pasur Kishën e vet dhe numri është i madh: “Shën Pjetri”, “Shën Mari Mesodhia”, “Shën Mëhilli”, “Shën e Premtja”, “Shën Jani”, “Shën Nikolli”, “Shën Spiridhoni”, “Shën Thanasi”, “Shën Maria” (“Kisha e Lindjes”), “Shën Todri” në Jalë.

Në kohë të tyre ato kanë qënë kisha njera më e bukur se tjetra, çka tregon për jo vetem një civilizim të madh, por edhe një fshat tejet të pasur, i cili ka qenë i aftë financiarisht të paguajë për këto Kisha.

Mjafton të shohësh muret dhe pikturat e kësaj Kishe (autori i postoi në profilin e tij në facebook. v.j.) për ta vërtetuar kët.

Mure me piktura që kanë rezistuar në shi e në erë dhe diellin që pjek edhe gurin në ato anë.

*Mbiemri “Anagnosti” si rrjedhë dhe e njejta familje e fisit “Ndrenika”. Mbiemri i familjes së besimit ortodoks është përmendur kur Shën Kozmai ftoi fisin “Ndrenika” për bukë në tryezën e tij kur shkoi në Vuno thuajse 235 vjet më parë duke u thënë se ishin “anagnosta”.

*Arben Papadhopulli është ekspert dhe menaxher projektesh të artit dhe kulturës.

/Ora News.tv/