Një shtetas kinez është arrestuar në aeroportin Nënë Tereza për mosdeklarim të vlerave monetare në kufi dhe të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë

Policia Kufitare informon se janë sekuestruar 80 mijë euro, 2900 jen kinez, si dhe 76.000 lekë.

"Si rezultat i kontrolleve është  përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë shtetasi kinez J. L., 43 vjeç,  lindur në Kinë dhe me banim të përkohshëm në Tiranë (me leje qendrimi), të cilit gjatë kontrollit në bagazhin e dorës dhe në trup ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 mijë euro, 76.000 lekë dhe 2900 jen kinez. Po gjatë kontrollit në bagazhet e dorës ju gjetën edhe 9 steka me paketa cigaresh pa pullë fiskale" njoftoi sot policia e shtetit

Shtetasi J.L, në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale "Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë" dhe  "Mosdeklarimi në kufi  i të hollave dhe i sendeve me vlerë",  parashikuar 179/a i Kodit Penal.

Policia Kufitare e Rinasit me Degën e Doganës Rinas, kanë ushtruar kontrolle të përbashkëta në pasagjerët e linjave ajrore me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë vitit 2018 janë evidentuar  dhe goditur 13 raste të  mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi. 


/Ora News.tv/