Kina dhe Kazakistani kanë rënë dakord që tu japin mundësi afro 2,000 kinezëve me kombësi kazake që të heqin dorë nga shtetësia kineze dhe të largohen nga vendi. Marrëveshja e arritur është njoftuar nga ministria e Jashtme e Kazakistanit. Ky zhvillim vjen në një kohë që autoritetet kineze në rajonin e Xinjiang-ut kanë nisur një fushatë masive indoktrinomi, duke dërguar pothuajse 1 milion veta në kampe internimit, të cilat Pekini i përshkruan si qendra të “riedukimit” dhe të luftimit të ekstremizmit.

Ish të ndaluar në këto kampe kanë thënë se janë detyruar të heqin dorë nga kultura dhe besimi fetar. Ndalimi i ujgurëve, kazakëve dhe minoriteteve tjera etnike, është cilësuar si çështje e ndjeshme në Kazakistanin fqinj, i banuar me shumicë myslimane.

Kina është partner i madh tregtar i Kazakistanit, ndaj mediat e kontrolluara nga shteti i kanë shmangur raportimet për çështjen në fjalë.

Ministria e Jashtme e Kazakinstanit konfirmoi të mërkurën, se Pekini ka rënë dakord për të lejuar rreth 2,000 kazakë që të largohen nga Kina.  Deklarata sqaron se këta shtetas do të lejohen të aplikojnë për shtetësi në Kazakistan apo do të marrin leje të përhershme qëndrimi. Megjithatë ministria e Jashtme kineze nuk iu është përgjigjur kërkesave për të komentuar në këtë çështje.

Kohët e fundit është shtuar presioni ndaj Pekinit për të bërë transparencë në lidhje me kam kampet e internimit, për të cilat Kina në mënyrë të vazhdueshme thotë se janë një çështje e brendshme. 

/Ora News.tv/