Kim fiton mbështetjen e Kinës për "samitin e dytë me Trumpin"

Kim fiton mbështetjen e Kinës për "samitin e dytë me

Pas një vizite të papritur në Kinë, lideri verikorean, Kim Jong-un është larguar me përkrahje nga ky shtet për mbajtjen e një samiti të dytë me presidentin amerikan, Donald Trump, kanë njoftuar mediat shtetërore.

Trump dhe Kim janë takuar për herë të parë në qershor të vitit të kaluar, mirëpo përparimi në çështjet e denuklearizimit ka ngecur.

Presidenti kinez, Xi Jinping ka thënë se shpreson që të dy liderët “të takohen me njëri-tjetrin”, meqë Kina është partneri kryesor për tregti në Korenë Veriore.

Xi ka thënë se Kina mbështet Korenë Veriore dhe Shtetet e Bashkuara “në mbajtjen e samiteve dhe shënimit të rezultateve si dhe mbështet palët relevante drejt zgjidhjes së shqetësimeve të tyre përmes dialogut”.

Ai ka thënë edhe se Kina është e gatshme të luajë “një rol pozitiv dhe konstruktiv”, me qëllim të sigurimit të paqes dhe denuklearizimit në Gadishullin Korean, ka raportuar Xinhua.

Pheniani dëshiron që Uashingtoni të heqë sanksionet që Kombet e Bashkuara kanë vënë në këtë shtet për shkak të programit bërthamor dhe atij për raketa.

Përveç tjerash, zyrtarë verikoreanë kërkojnë nga SHBA-ja të veprojë në përputhje me hapat e marrë nga Koreja Veriore në aspektin e denuklearizimit duke përmendur se deri më tash kanë mbyllur një zonë për testime bërthamore si dhe një hapësirë kyçe për raketa. /REL/

EMISIONET