I ftuar në “Arena” nga Dritan Hila gazetari Mentor Kikia tha se lëvizjet e fundit të Presidentit Meta, janë sinjale jo të mira për opozitën.

Kikia: Opozita tani është seriozisht e rrezikuar nga lëvizjet e Metës. Nëse shikojmë zhvillimet e ditëve të fundit, Meta ka marrë flamurin e opozitarit, qoftë si president, apo akoma më tej nëse do të finalizohet lëvizja e mazhorancës për ta shkarkuar atëherë Meta do të kërkojë një vend në krye të turmës së opozitës, e cila është e gjitha në rrugë. 

Duke pasur parasysh natyrën e tij, Meta do të kërkojë të marrë një rol patjetër protagonist, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me lënien në hije të Lulzim Bashës, por kjo do të ketë të bëjë me faktin se çfarë rruge do të ndiqet. 

Ajo që ka paralajmëruar Meta deri më tani, është për vijën e ashpër. 

PD dhe Basha vijnë nga një dështim për sa i takon linjës së ashpër, i doli para një mur, përplasi kokën dhe nuk e shembi dhe është tërhequr. 

Tani PD dhe LSI, me Metën president, apo akoma më tej, jo president, do të ketë problemin e madh se çfarë linje do të ndjekë. 

Do të vazhdojë të mbetet në rrugë me dhunën si element, apo do të ulet të mendojë gjëra të shkruara, të bisedojë dhe kërkojë të realizojë çfarë bëhet dhe çfarë nuk bëhet.

 Nuk është risi ajo çfarë ndodh në politikën shqiptare. 

Gjithnjë jemi mësuar gjithmonë me kulisa, me marrëveshje, shtrëngime duarsh, futje gishtash,  prapaskena, pazare, zgjedhje presidenti si mall  më mall, të jap presidentin më jep Gjykatën Kushtetuese, të jap Gjykatën Kushtetuese më jep Kontrollin e shtetit. 

Ka një shans që unë dua ta shpresoj, që me lëvizjet e fundit me futjen në veprim të strukturave të reja të reformës në drejtësi, të një lloj pastrimi të politikës u pranua kostoja shumë e rëndë në aspektin e demokracisë, me pranimin e një palë zgjedhjeje si ato të 30 qershorit, të cilat unë shpresoj dhe besoj se do të zhbëhen juridikisht.



/Ora News.tv/