Këta janë 22 personat më të kërkuar në Qarkun e Dibrës

Policia e Shtetit ka publikuar listën e personave më të kërkuar në qarkun e Dibrës. Pesë personat e parë në listën me 22 emra janë të dënuar me nga 25 vjet burg për akuzën e vrasjes, ndërsa dy prej tyre janë të arratisur nga burgu.

lista më pas vijon me të dënuar nga 16 deri në 24 vjet heqje lirie, për vrasje, trafik femrash dhe vepra të tjera penale.

mes më të kërkuarve në qarkun e Dibrës, janë renditur edhe emra të personave me dënime më të lehta mbi 7 vjet heqje lirie, të akuzuar për arratisje nga burgu, trafik prostitucioni, vjedhje me dhunë, dhe vepra të tjera penale si pjesëmarrja në grupe kriminale.

Emrat e fundit në listën e të kërkuarve në Dibër, janë të shtetasve të dënuar nga 5 deri në shtatë vjet burg për kanosje me armë apo marrëdhënie seksuale me dhunë.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, Policia e Shtetit fton qytetarët që kanë djeni mbi vendndodhjen e këtyre personave në kërkim, të telefonojnë Policinë në numrin pa pagesë 112, duke ju garantuar anonimatin. më herët policia ka publikuar listat e personave në kërkim në Vlorë, Fier, Gjirokastër dhe Berat.

Kjo strategji po ndiqet nga uniformat blu me qëllim identifikimin e vendndodhjes së personave të kërkuar ndër vite për vepra të rënda penale dhe kapjen e tyre.

Pavarësisht se publikimi i fotove të personave në kërkim ka nisur javën e kaluar, deri më tani policia nuk ka pasur ndonjë rezultat në kapjen apo lokalizimin e të dënuarve në mungesë. shumica prej këtyre personave janë të dënuar për krime të rënda të ndodhura vite më parë ndërkohë që kanë humbur gjurmët duke iu shmangur drejtësisë.

EMISIONET