Këshilli Mbikqyrës i BSH miraton dy vendime

Këshilli Mbikqyrës i BSH miraton dy vendime

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar sot dy vendime. Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2019-2021 dhe buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2019 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2020-2021.

Në njoftimin për shtyp thuhet se "Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2019-2021 shpalos ambicien e Bankës për periudhën trevjeçare në vijim. 

Kjo strategji siguron mbështetjen e duhur programatike për Buxhetin Orientues Afatmesëm për vitet 2020 dhe 2021".

Po ashtu strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.

Në lidhje me buxhetin në njoftim thuhet se "ai garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore".

Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2020 – 2021, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun. Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, asaj të sigurisë dhe të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti i Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.

EMISIONET