Vrau nënën me sklerozë, 54-vjeçari korçar mohon akuzat: Rrëzohej vetë

Vrau nënën me sklerozë, 54-vjeçari korçar mohon

Nesim Demollari,  54 vjeçari korçar i akuzuar se vrau në gjendje të dehur nënën 84 vjeçare me sklerozë, do të qëndrojë në burg deri në fund të hetimit. Gjatë masës së sigurisë ai mohoi akuzën, ndërsa deklaroi se nëna e tij ishte e sëmurë dhe ai e gjeti të vdekur.

Gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për 54-vjeçarin Nesim Demollari, i akuzuar si autor i vrasjes së nënës së tij 84- vjeçare. Para trupës gjykuese i akuzuari nuk e pranoi krimin, ndërsa deklaroi se e moshuara vdiq nga shkaqe natyrore.

 “Mamanë e gjeta në korridor. E ushqeja une, bënte veprime të pandërgjegjshme, më quante Goni, jo Nesim.  Ishte me skleroze, binte dhe rrëzohej vetë. Nuk e kam vrarë unë, vdiq vetë. Jam i pafajshëm. Të gjykohem i lirë”.

Por prokuroria thotë se ka arritur të provojë se 54-vjeçari e ka dhunuar nënën dhe i ka shkaktuar vdekjen duke e goditur me sende të forta. Edhe fqinjët dëshmuan për një konflikt të ashpër mes tyre para se të konfirmohej vdekja e të moshuarës.

Avokati mbrojtës i 54-vjeçarit tha që nga fqinjët përshkruhet si njeri me probleme me alkoolin, ndërsa shtoi se viktima vuante nga skleroza e rrëzohej shpesh, ndaj edhe kishte shenja dhune në trup.

Por gjykatësi, Maksim Qiriazi, vendosi që djali i akuzuar për vrasjen e nënës të qëndrojë në burg, ndërsa çështja  u transferua në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

EMISIONET