Aktiviteti detar në pjesën nën ujore të Atlantikut të Veriut nga ana e Rusisë, ka arritur në nivele të reja dhe NATO është e shqetësuar për kabllot e saj nënujor që lidhin Amerikën e Veriut me Evropën dhe pjesën tjetër të botës.

"Ne tani po shohim aktivitetin nënujor rus në afërsi të kabllove nënujorë që unë nuk besoj se nuk e kemi parë ndonjëherë", tha për The "Washington Post", komandanti i forcave nëndetëse të NATO-s, Andrew Lennon.

"Rusia është duke zhvilluar interes për infrastrukturën nëntokësore të NATO-s", shtoi ai.

Kabllot e shpërndarë në fund të oqeaneve zënë 95% të komunikimeve si dhe mbi 10 trilionë dollarë transaksione ditore.

Nëpërmjet kabllove optikë transportohet edhe interneti, ndërsa përgjimi në to mund t'i japë përgjuesit një tablo të vlefshme për të dhënat që transferohen brenda.

Kabllot janë të brishtë dhe janë dëmtuar në të kaluarën nga lëvizjet e anijeve, edhe pse kjo ka ndodhur zakonisht në zonat ku riparimet janë relativisht të lehta.

Stuart Peach, shefi i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu ka dhënë alarmin për fokusin e dukshëm të Rusisë në kabllot nënujorë.

 "Ka një rrezik të ri për mënyrën tonë të jetës, që është dobësia e kabllove që kalojnë nëpër shtratin e detit," tha ai më parë këtë muaj.

"New York Times" raportoi në fund të vitit 2015 se rritja e aktivitetit detar rus pranë linjave ka alarmuar zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe ka bërë që të frikësohen nga Moska, e cila mund të shkatërrojë kabllot në rast konflikti.

Zyrtarët amerikanë thanë se kishin parë operacione ruse të ngritura përgjatë rrugëve të kabllove në Detin e Veriut dhe Azinë Verilindore dhe madje përgjatë brigjeve të SHBA.

Shumë kabllo nënujorë janë në vende të njohura, por të tjerët, të porositur nga SHBA për qëllime ushtarake, janë në vende të fshehta. Zyrtarët amerikanë thanë në 2015 se rritja e aktivitetit të Rusisë në det mund të ketë qenë përpjekje për të gjetur ato kabllo.

Shqetësimi vjen ndërkohë që NATO dhe vendet e tjera të Evropës po shprehin shqetësim për aktivitetet rigoroze ruse në terren, si në ajër ashtu edhe në det përreth kontinentit.

Avionët rusë kanë fluturuar në distanca të ngushta me ata të NATO në vendet baltike, ndërsa ushtrimet masive të Rusisë dhe Bjellorusisë në stërvitjen"Zapad2017" gjatë muajit shtator u zhvilluan shumë pranë NATO-s.

/Ora News.tv/