Arrestohet nënprefekti i qarkut të Tiranës dhe disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Kavajës, pasi dyshohen se kanë tjetërsuar 36 hektarëve pronë publike në bregun e detit, në zonën e Spillesë, nëpërmjet falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës.

Sipas akuzës, ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, në bashkëpunim me disa zyrtarë të institucionit të tij, si edhe me mbështetjen e ish-zyrtarëve të komunës Kryevidh, kanë ndryshuar zërin kadastral nga “ranishte” në “tokë arë”.

Me anë të falsifikimit të dokumentave, zyrtarët e kanë shënuar zërin kadastral “tokë arë” në sipërfaqen prej 36 hektarë bregdet. Më pas, këtë tokë ua kanë shpërndarë familjeve të ndryshme, të cilat kanë pasur qëllim tjetërsimin e menjëhershëm të saj, nëpërmjet shitjes.

Prokuroria e Kavajës ndërhyri në korrik 2017, duke e vendosur nën sekuestro sipërfaqen e ranishtes për të penguar përkeqësimin e situatës në terren. Hetimi kishte nisur me referim nga Drejtoria e Përgjithshme për Hetimin e Krimit  të Organizuar në Policinë e Shtetit por pjesë e dosjes u bë më pas edhe një kallëzim i Kryetarit të Këshillit të Qarkut Tiranë.

Grupi  hetimit ka zhvilluar verifikime të gjera, duke hetuar mbi dokumentat në ZVRPP Kavajë, në bashkinë Rrogozhinë, si edhe praktikat administrative të ish-komunës Kryevidh, e cila mbulonte zonën e plazhit të Spillesë.

Për pasojë janë identifikuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të cilët dyshohen si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për falsifikimin dhe shpërdorimin e detyrës në ndarjen e tokave.

Bazuar në kërkesën e prokurorisë, Gjykata vendosi masën burg pa afat ndaj shtetasve Seid Cikalleshi, ish-kryeregjistrues i Hipotekës Kavajë, Dritan Kazazi, hartograf I Hipotekës, Andi Gjeci, jurist, Fatos Kaja, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë (aktualisht, nënprefekt i qarkut Tiranë),  Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë,  Nezir Lecini, ish-shef i Zyrës së Kadastrës, Kavajë, Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave në Kavajë dhe Enver Duqi, ish-Drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Kavajë.

Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria ka lëshuar urdhërat e ndalimit edhe për shtetasit Altin Çoba, drejtor i ALUIZNI-t në Kavajë, Behgjet Pjeci, ish-kryetar i komunës Kryevidh dhe Dashnor Çullaj, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë.

Masat e arrestit janë ekzekutuar nga policia për githë të dyshuarit me përjashtim të shtetasve Seid Cikalleshi dhe Enver Duqi të cilët janë shpallur në kërkim. Ndërsa arrestimi i Fatos Kajës është bërë pasditen e sotme. 

Të arrestuar

1. Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë 

2. Andi Gjeci, jurist, ZVRPP, Kavajë 

3. Fatos Kaja, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë (aktualisht, nënprefekt i qarkut Tiranë) -

4. Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë 

5. Nezir Lecini, ish-shef i Zyrës së Kadastrës, Kavajë 

6. Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë 

7.Enver Duqi, ish-Drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës,  Kavajë 

8. Behgjet Pjeci, ish-kryetar i komunës Kryevidh, Kavajë 

9.Dashnor Çullaj, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë 

10. Altin Çoba, drejtor i ALUIZNI-t, Kavajë 

Në kërkim:

11. Seid Cikalleshi,  ish-kryeregjistrues i Hipotekës Kavajë

Operacioni u kodua: Ranishtja



/Ora News.tv/