Katër mijë vrasje nga hasmëria, ekzekutimet edhe pas vendimit të gjykatave

Katër mijë vrasje nga hasmëria, ekzekutimet edhe pas vendimit

Vendimet e gjykatave për autorët e vrasjeve kanë lënë të pakënaqur familjet e viktimave që janë detyruar të bëjnë vetëgjyqësi në rreth 4 mijë raste gjatë 25 viteve të fundit. Komiteti i pajtimit mbarëkombëtar ngriti shqetësimin e mos funksionimit të urdhrave mbrojtës të cilët së bashku me situatën politike dhe sociale mund të sjellin shtim të vrasjeve e të kriminalitetit në vend.

Vendimet e gjykatave nuk kanë sjellë paqe në familjet që janë në hasmëri duke nxitur vetëgjyqësinë. Rreth 4000 vrasje në 25 vitet e fundit kanë ndodhur pas vendimit të gjykatave. Të dhënat u bënë publike gjatë prezantimi të raportit dy vjeçar të ekspeditës së pajtimit nga komiteti mbarëkombëtar.

Kreu i komitetit Gjin Marku tha se këto vendime të gjykatave kanë çuar në vrasje mes palëve. Ndërsa shqetësues mbetet mos efektiviteti i urdhrave të mbrojtjes.

Gjin Marku: Urdhrat e mbrojtjes janë të paefektshëm, qoftë për gratë të cilat dënohen në familje. Ne kemi çdo vit 25-30 viktima nga dhuna në familje.

Sipas Markut vrasjet do të shtohen nëse nuk do të kemi një jetë të qetë politike.

Gjin Marku:  Situata politike e vendit, situata e jetës shoqërore të vendit, kriza që po thellohet çdo ditë ka sjellë një numër vrasjes dhe mund të them se ato do të shtohen nëse nuk kemi një jetë të qetë sociale, një politike konstruktive.

Çdo vit regjistrohen 50-70 vrasje të reja, që lindin nga hasmëritë. Në vitin 2017 janë vrarë 69 vetë për shkak të gjakmarrjes dhe konflikteve, në 2018  janë regjistruar 74 vrasje, ndërsa në 2019, 34 të tilla. Ndërkohë, rreth 50 fëmijë mbeten ende të ngujuar. Ndërsa, 190 të tjerë punojnë pranë familjes dhe nuk shkojnë në shkollë.

EMISIONET