Katër gjëra që do të ndodhin...

Katër gjëra që do të ndodhin...

por nuk dihet kur dhe si

1.

Taksa 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë duhet të hiqet dhe do të hiqet.

Taksa mund të hiqet, madje të hiqet në tërësi, si pjesë e një marrëveshjeje mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me të cilën këto dy shtete krijojnë hapësirën e tregtisë së lirë. Tregtia e lirë, siç e dimë nga përvoja e shteteve të pasluftës së Dytë Botërore, është krijuar si një ide e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke afruar shtete e popuj. Dhe siç dimë, tregtia e lirë është produkt i marrëveshjeve ndërshtetërore. E marrëveshjet ndërshtetërore tregojnë nivel normalizimi të marrëdhënieve. Rrjedhimisht Kosova nuk duhet të ketë taksë 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, kur me këtë shtet tashmë të ketë vendosur marrëdhënie normale.

Taksa mund të hiqet si parakusht për të filluar negociata me Serbinë për normalizim. Nëse ekzistojnë parakushte, siç i ka vendosur Serbia, duke deklaruar se nuk do të bisedojë me Kosovën derisa të hiqet taksa, atëherë mund të ndodhë që edhe Kosova të ketë një sërë parakushtesh për të vënë në tavolinë para se të bisedojë me Serbinë. Nëse është kështu, atëherë , heqja e taksës (pezullimi i përkohshëm apo anulimi) shndërrohet në mjet për të filluar bisedimet rreth parakushteve të Serbisë e të Kosovës për të zhvilluar negociata.

2.

Përfaqësuesit e partive të pushtetit e të opozitës në Kosovë do të kenë eventualisht qëndrim konsensual.

Kjo do të arrihet kur çështja e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të mos trajtohet si kauzë e ndërrimit të pushtetit. Kushdo që të jetë në pushtet dhe kushdo që të jetë në opozitë duhet të ketë të drejtën dhe obligimin që të dakordohet rreth parimeve që ndërtojnë kauzën shtetërore.

Kjo do të arrihet kur në vend të tri proceseve paralele që zhvillohen sot (presidenti me të veten, kryeministri me të veten, Delegacioni shtetëror me të veten) bëhet unifikimi në një proces.

Kjo arrihet kur në shkrirjen e këtyre tri proceseve në një gjendet vendi i merituar edhe për LDK-në dhe VV-në.

Kjo arrihet kur parimet negociatore kosovare ndërtohen gjithashtu në një proces konsultativ me komunitetet joshumicë; është e drejtë e qytetarëve serbë të Kosovës që të flasin në emër të vetin e jo që kjo e drejtë të uzurpohet nga ana e Serbisë.

Përfaqësuesit e partive të pushtetit e të opozitës në Kosovë duhet ta kenë qëndrimin konsensual në fund, nëse duan ta legjitimojnë dhe legalizojnë një marrëveshje me Serbinë. Por nëse ky është obligim që mbetet për në fund, pse të mos të bëhet përpjekja që kjo të bëhet që në fillim?

3.

Do të ketë kalim procedural prej procesit negociator të “normalizimit” në procesin negociator të “marrëveshjes ligjërisht të obligueshme”.

Kalimi procedural nënkupton vlerësim të produkteve të procesit të “normalizimit”, të gjërave që mbeten ende për t’u inkuadruar në procesin e ri.

Kalimi procedural nënkupton ndërtimin e parimeve udhëheqëse për procesin e ri. “Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme” është një proces shumë më serioz dhe nuk mund të udhëhiqet nga improvizimet e deritanishme. Republika e Kosovës nuk duhet të hyjë në proces improvizues siç ka bërë Kosovo* .

Kalimi procedural nënkupton edhe ndryshimin e natyrës së ndërmjetësimit dhe të ekipit që ndërmjetëson.

4.

Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë do të kenë sukses me arritjen e marrëveshjes transatlantike , pra mes SHBA-së dhe BE-së, për parimet udhëheqëse dhe kornizën negociatore.

Marrëveshja e plotë transatlantike bëhet kur shtetet evropiane të Kuintit e arrijnë marrëveshjen e tyre evropiane për parime, me të cilat pastaj fillon procesi serioz negociator.

Kjo marrëveshje nënkupton një dialog intensiv me Kosovën dhe Serbinë, si shtete që aspirojnë të jenë anëtare të BE-së.

Shtetet evropiane të Kuintit me arritjen e marrëveshjes së parimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës iniciojnë parime dhe kornizë serioze negociatore në Komisionin evropian.

5.

Të gjitha këto do të ndodhin sivjet.

nëse ekziston synimi që të arrihet Marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Siç do të thoshin bastexhinjtë e sprovuar me dozën e tyre nënçmuese humori ndaj të gjithë neve që nuk e njohim atë botë: fitorja është e garantuar, vetëm nuk dihet si dhe kur.

/Koha.net/

EMISIONET