Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Kaliforninë Jugore kanë shkaktuar të paktën 13 viktima, si dhe qindra të plagosur. Autoritetet përshkruajnë një situatë thuajse apokaliptike, ndërkohë që paralajmërojnë për rëndim të bilancit të viktimave. Këto përmbytje vijnë pas zjarreve masive që shkrumbuan pjesë të mëdha të Kalifornisë gjatë muajit dhjetor.

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjeve të dheut në Kaliforninë Jugore, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje.

Zyrtarët konfirmojnë se rreth 163 persona janë dërguar në spital, ndër të cilët 4 me plagë të rënda.

Policia e ka përshkruar situatën si “një fushëbetejë të Luftës së Parë Botërore”.

Përmbytjet dhe rrëshqitja e dheut, që ka prekur zonat e goditura nga zjarret muajin e kaluar, kanë bllokuar mëse 48 kilometra rrugë kryesore bregdetare.

Kjo është hera e dytë që mijëra banorë kalifornianë detyrohen të evakuohen brenda dy muajsh.

Ndërkohë, shërbimet e emergjencës paralajmërojnë për mundësinë e rritjes së bilancit të viktimave.

Stuhitë përmbi Kaliforni pritet të sjellin 10 deri në 18 cm shi në zonat e ulëta dhe deri në 23 cm në zona të veçanta.

Ndërkohë, në lartësi më të mëdha, Shërbimi Kombëtar i Motit raporton për reshje dëbore.

Kjo situatë vjen në vazhdimësi të fenomeneve shkatërruese natyrore që kanë prekur Shtetet e Bashkuara gjatë 2017, vit i kthyer në më të kushtueshmin sa i përket dëmeve nga katastrofat e lidhura me motin dhe klimën.



/Ora News.tv/