Zyrtarët e ishujve Bahamas kanë mbrojtur përgjigjjen e tyre ndaj Uraganit "Dorian", pas shkatërrimit që ka lënë pas stuhia javën e kaluar, duke vrarë të paktën 43 persona.

Banorët në ishujt Abaco kanë akuzuar qeverinë për dështim të ofrimit të ndihmës dhe mashtrime.

Dorian depërtoi nëpër Bahamas si një stuhi e kategorisë pesë me erërat që arrinin 300 km/orë.

Deri më tani janë konfirmuar të vdekur 43 persona megjithatë numri pritet të rritet. Disa mijëra banorë kanë mbetur pa shtëpi.

Carl Smith, zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave në Bahamas (Nema) tha se ishte i kënaqur me përgjigjen që autoritetet i kishin dhënë kësaj fatkeqësie natyrore.

USAID thotë se po punon me qeverinë e Bahamas për të siguruar strehim urgjent, kujdes mjekësor, ushqim dhe ujë.

Aeroplanë pasagjerësh dhe anije janë angazhuar për evakuiimin e njerëzve në Nassau, kryeqytetin e Bahamas, dhe Florida.

Rreth 3.500 njerëz janë evakuuar në Nassau deri më tani. Të shtunën, një avion që mbante 1.400 njerëz u ankorua në Riviera Beach, Florida.

Zyrtarët kanë pranuar që Nassau do të luftojë për të strehuar të gjithë njerëzit që kërkojnë strehim.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, rreth 70,000 njerëz kanë nevojë për ushqim dhe strehim. Ishujt kanë një popullsi prej rreth 400,000 banorësh.

Uragani "Dorian" tani është shndërruar në ciklon post-tropikal. Të shtunën ai ka përfshirë provincën kanadeze, Skocia e Re, duke lënë pa energji elektrike më shumë se 450,000 persona.

/Ora News.tv/