Karta e Studentit, Veliaj: Nëse nuk e bëjnë universitetet, do ta prodhojë bashkia me Ministrinë

Karta e Studentit, Veliaj: Nëse nuk e bëjnë universitetet, do ta

Nëse Universitetet nuk do ta kenë gati kartën e studentit deri në fund të muajit, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit janë të gatshme që ta përmbushin këtë kërkesë të studentëve. Në takimin e zhvilluar me 20 praktikantët e përzgjedhur si vijim i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se më shumë se 40 shërbime në Bashkinë e Tiranës ofrohen me kosto të ulët për studentët.

“U kemi lënë afat deri në fund të muajit rektorateve që, sipas ligjit të ri, duhet të bënin Kartën e Studentit. Me privilegjet vijnë edhe përgjegjësitë. Pra, me të qenit rektor dhe dekan, vjen edhe përgjegjësia t’i bësh ato detyra. Nëse nuk i bëjnë deri në fund të muajit, kemi marrë masat që Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, të jetë e para që bën Kartën Studentore Bashkiake, ndërkohë që bashkia, Këshilli Bashkiak tashmë i ka marrë vendimet për 40 shërbime, që gjithsesi edhe sot ofrohen me kosto më të ulët për studentët”, deklaroi Veliaj.

Krahas përfitimit të 40 shërbimeve me çmim të reduktuar që merren aktualisht nga Bashkia e Tiranës, studentët do të mund të përfitojnë edhe nga ato që do të ofrohen nga privatët. 

“Karta e re studentore që do të emetohet në Tiranë përpara kësaj vere, do të mundësojë një bashkëpunim edhe me privatin, pra përveç 40 shërbimeve që bashkia i ofron të reduktuara, edhe privatët mund të futen në këtë bashkëpunim, kur vjen puna tek dyqanet, tek shpenzimet”, tha ai.

 Përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, studentëve dhe të sapodiplomuarve u ofrohet mundësia që të fitojnë një eksperiencë të parë pune 3 mujore në institucionin e Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj tha se kjo nismë është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë, për të fituar eksperiencë që do u vlejë edhe për në ardhmen.

EMISIONET