Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të pikave të karburanteve në Europë. Nga të dhënat zyrtare konstatohet se për 529 automjete kemi një pikë të licencuar, ndërsa në  Itali është një pikë për 700 automjete dhe në Gjermani një e tillë për 4230 makina.

Shqipëria mban vendin e parë përsa i përket numrit të pikave të karburanteve në raport me automjetet.

Nga të dhënat e INSTAT konfirmohet se gjatë 2017  në vend kanë ushtruar aktivitetin  mbi 1 mijë pika, ndërsa qarkullojnë rreth 557 mijë automjete.

Pra 1 pikë karburanti për 529 automjete. Në vendet e BE-së raporti është krejt ndryshe. Nëse marrim shembullin e Italisë, raporti është 1 pikë për 700 automjete.

Ndërsa Gjermania vlerësohet një ndër vendet me numrin më të pakët të pikave të karburanteve, krahasuar me numrin e automjeteve që qarkullojnë dhe raporti është1 me 4230.

Në teori, situata e krijuar në Shqipëri do të ndikonte në rritjen e konkurueshmërisë dhe si pasojë uljen e çmimit.

Por realiteti është krejt ndryshe, vlera për një litër karburant është e përafërt nga të gjitha pikat.

Nga ana tjetër pikat e karburanteve në autostradë janë kthyer në një burim të mundshëm aksidentesh pasi jo të gjitha zbatojnë të gjitha kriteret e vendosura në ligj.

Që prej disa ditësh qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 5 lekë më shumë për një litër naftë pasi është reflektuar rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare, ndërsa ulja reflektohet me vonesë.

557.000 mijë automjete

1052 pika karburantesh

1 pikë karburanti për 529 makina

/Ora News.tv/