Dy policë të arrestuar për gomonen me 500 kg drogë e kapur në Itali

Dy policë të arrestuar për gomonen me 500 kg drogë e kapur

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kanë arrestuar edhe dy punonjës të policisë kufitare në "Tri Port", në kuadër të operacionit të kapjes së 500 kg kanabis në Itali.

"Dy policët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë kryer praktikën e rregullt ligjore për regjistrimin e mjetit lundrues tip gomone, i cili u kap në Brindizi me lëndë narkotike. Rezulton se mjeti lundrues, i cili figuron i regjistruar me dokumentacion në Stacionin Kufitar, ka hyrë në brendësi të Pikës "Tri Port" dhe pa u regjistruar ka dalë më pas në det", sqaron policia.

Të arrestuarit janë N/Komisar Bledar Kuçi me detyrë përgjegjës turni dhe Inspektor Idlir Ajazaj, me detyrë ndihmës kontrollor.

Edhe policia e shtetit shqiptar konfirmoj kapjen e gomones me 500 kg drogë dhe arrestimin e dy skafistëve K. Skëndaj, 45 vjeç dhe F. Soda, 34 vjeç.

Policia e Shtetit përmes informacioneve konfideciale mësoi se gomonia dyshohej se mund të përdorej për trafik.

Në këtë moment Policia njoftoi palën Italiane nëpërmjet Grupit të Kufirit Detar të Guardia di Finanza të vendosur në Durrës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Policisë Shqiptare në Itali dhe ka nisur operacioni i ndjekjes nga ajri dhe deti, përfshirë misionin FRONTEX.



EMISIONET